Nuk e ka fshehur dot xhelozinë nën kostumin e njeriut numër një të shtetit. Presidenti francez Nikolas Sarkozy ka vendosur të ngulet në sheshxhirim e të ndjekë nga afër çfarë ndodh gjatë realizimit të filmit ‘Midnight in Paris’, ku interpreton edhe bashkëshortja e tij, bukuroshja italiane Carla Bruni. Thuhet se shkak për shpërthimin e xhelozisë është bërë një përqafim i pa evitueshëm mes zonjës së parë, në këtë rast edhe aktore dhe partnerit të saj në film, Owen Wilson. Sipas shtypit francez, vetëm Carla ka mundur të qetësojë Presidentin që ia behu në sheshxhirim në orën 2 të mëngjesit e që priti atje deri në orën 4, për ta shoqëruar të shoqen në shtëpi. Të tjera burime thonë se çka e ka bërë nervoz zotin president ka qenë numri i madh i gazetarëve në sheshxhirim. “Gjeni mënyrën t’i ndiqni menjëherë këta fotografë”, ka urdhëruar ai njerëzit e eskortës, i nervozuar nga objektivët e shumtë të drejtuar mbi të. Sipas mediave franceze, regjisori i filmit, Woody Allen e ka ndjekur i shqetësuar këtë shpërthim nervash të presidentit, pasi një gjë e tillë ka ç’orientuar aktorët. Ndërkohë skena mes Brunit dhe Wilsonit është përsëritur mbi 30 herë. Tashmë Bruni i ka përfunduar xhirimet për pjesën e saj të vogël dhe u nis dje, së bashku me të shoqin për pushimet verore, që do t’i kalojnë në rezistencën e Cap Negre në jug të Francës. Ndërsa Allen nga lagja latine e kryeqytetit është spostuar në Montmartre, në tregun e pleshtave, në veri të qytetit, ndërsa xhirimet e rradhës do të jenë në zonat me “drita të kuqe”.