Kreu i Social Demokratëve të Gjermanisë (SPD), Martin Schulz, ka braktisur një plan për të shërbyer si Ministër i Jashtëm në qeverin e re që do të formohet pas marrëveshjes për koalicion paszgjedhor me Angela Merkel.


Marrëveshja për të qeverisur me konservatorët e kancelares Angela Merkel mbetet ende për tu hedhur në votim me anëtarët e SPD.


Schulz, duke u përballur me kritikat brenda partisë së vetë, tha se nuk donte që debati rreth rolit të tij të rrezikonte një koalicion të ri.


Partia e qendrës së majtë duket se do të drejtojë gjashtë ministri, duke përfshirë financat dhe çështjet e jashtme.


“Deklaroj vendimin tim për të mos u bashkuar me qeverinë federale dhe njëkohësisht shpresoj sinqerisht se kjo do t’i japë fund debateve të personelit brenda SPD-së”, tha Schulz për mediat.


Mediat gjermane raportojnë se anëtarët e SPD në shtetin e Nordrhein-Westfalisë ishin veçanërisht kundër Schulz – ish-president i Parlamentit Europian që të bëhej ministër i jashtëm.


Janë raportuar gjithashtu tensione midis tij dhe Sigmar Gabriel, një koleg i SPD-së, i cili aktualisht është ministër i jashtëm. Ka pasur më shumë se katër muaj bisedime për koalicionin e gjerë që nga zgjedhjet e shtatorit, një rekord ky për Gjermaninë e pas luftës.


Një zbulim i fundit u njoftua të mërkurën, me lëshime të mëdha që i janë bërë SPD-së nga ana e Merkel.


Shumë nga SPD-ja kanë frikë se ri-hyrja në një koalicion me Kristian Demokratët e Merkelit (CDU) dhe CSU-në bavareze mund ta dëmtojë partinë në një afat të gjatë.


460,000 anëtarë të SPD-së do të kenë fjalën e fundit për të gjithë marrëveshjen në një votim postar, rezultati i të cilit do të shpallet më 2 mars.


Ata që kundërshtojnë marrëveshjen me zonjën Merkel janë një grup i ri brenda SPD-së, të vetëquajtur NoGroKo (asnjë koalicion i madh).


SPD-ja dhe CDU-ja kanë pasur rezultatet e tyre më të këqija për dekada të tëra në zgjedhje, të cilat për herë të parë në histori e katapultuan alternativën për Gjermaninë (AfD) në parlament, me 94 vende.


9 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)