Dikur ishte mbret në pistë dhe fitoi shtatë tituj të kampionit në Formula 1. Por sot, Michael Schumacher thotë se nuk është duke u kënaqur në gara. Gjermani 42 vjeç ka zhgënjyer me paraqitjet e tij në Mercedes, pas rikthimit nga pensionimi në fillim të sezonit të kaluar.


Nga Express më 10 maj 2011 në ora 10:11

Michael Schumacher ka pranuar për herë të parë se nuk është duke u kënaqur në pistë, pas fillimit dëshpërues të sezonit të tij të dytë pas rikthimit në Formula 1.



42 vjeçari, ngasës i Mercedesit, përfundoi i 12-ti në garën për Shpërblimin e Madh të Turqisë, pas një tjetër fundjave të dobët. Schumacher tha për BBC Sport: “Gëzimi i madh nuk ekziston më, sidomos tani”.



Gjermani fitoi rekord tetë tituj dhe 91 gara para pensionimit më 2006, por ka arritur rezultate më të dobëta se kolegu i tij, Nico Rosberg në 15 prej 23 garave të tyre për Mercedesin.



Rosberg, 25 vjeç, po ashtu është kualifikuar më lart se Schumacheri në 19 gara. Rosberg u kualifikua i treti në Turqi, më tepër se një sekondë para Schumacherit, i cili u nis nga pozita e tetë. Schumacher nuk u ndihmua nga përplasja në xhiron e parë me ngasësin e Renaultit, Vitaly Petrov, për çka ai pranoi se ishte fajtor.



Incidenti e detyroi të kthehet në pit-stop për të ndërruar krahun e bolidit. Schumacher bëri tri ndalje tjera në pit-stop për goma të reja, por asnjëherë nuk u duk në gjendje t’i afrohet pozitave të para.



Rezultati – i bashkuar me tërheqjen në Australi, pozitën e nëntë në Malajzi dhe të tetën në Kinë – nënkupton se ai gjendet në pozitën e 11-të në kampionatin e ngasësve me vetëm gjashtë pikë.



Rosberg është i 10-ti me 20 pikë, ndërsa kampioni aktual i botës në Formula 1, Sebastian Vettel, në Red Bull udhëheq me 93 pikë pas fitores së tij në Turqi, e treta nga katër garat e deritashme këtë sezon.



“Ju kam thënë para garës se do të ketë aksion dhe në fakt kisha shumë aksion. Mendoj se isha përgjegjës vetë për rezultatin që mora. Me Petrovin kam bërë një gabim të rëndë që më kushtoi shumë. Më duhet t’i analizoj gjërat. Ishte paksa e çuditshme dhe papritmas ne u ndeshëm dhe humba krahun e përparmë të bolidit. Gara ishte e humbur prej atij momenti, shumë luftë, shumë aksion, por për asgjë. Prej nga kemi ardhur (në start), të shkojmë përpara është më mirë sesa të kemi nevojë të mbrohemi prapa”, përfundoi ai.



Schumacher nënshkroi kontratë trevjeçare me Mercedesin pas rikthimit të tij në Formula 1 vitin e kaluar. Analisti i Formulës 1 në BBC, Eddie Jordan ka thënë se ndoshta është koha që Schumacher të konsiderojë të ardhmen e tij.



“Kam ndjerë keqardhje për një njeri legjendar, i cili ka qenë i shkëlqyeshëm për gjithë ato vite sa garoi, duke fituar shtatë tituj të kampionit të botës. Ai është shumë i sinqertë dhe duket qartë se nuk është duke u kënaqur dhe rezultatet tregojnë pse nuk është duke u kënaqur në pistë. Atij i takon të merr disa vendime të mëdha në muajt e ardhshëm”, deklaroi Jordan. Gara e ardhshme zhvillohet në Spanjë, në pistën e Katalanisë, më 22 maj.