Nga Spanja arrin Seati më i fuqishëm që është prodhuar ndonjëherë. “Seat Leon Cupra R” vjen i pajisur me motorin turbo dhe 256 kuaj fuqi. Ai paraqet majin e ofertës së prodhuesit spanjoll dhe është më i fuqishëm se automjeti i njohur “WTÇ” i Seatit i cili është pajisur me motorin me naftë. Në automjetin më të ri të prodhuesit spanjoll është integruar i njëjti motor i përdorur më herët nën kapakun e modelit të Volkswagenit “Sciroço R”. Bëhet fjalë për motorin TSI turbo prej dy litrash dhe 256 kuaj fuqi. I pajisur me këtë motor, Leon Cupra R është në gjendje të arrijë 100 kilometra në orë për 6.1 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale e përcaktuar është 250 km/h. Me gjithë këto performanca, shpenzimi mesatar prej 8.1 litrash në 100 kilometra nuk duket edhe aq i madh. Premiera e këtij automjeti do të bëhet në panairin e Frankfurtit në mes të muajit shtator.
Hyundai ix35, prezantohen fotografitë e para të hibridit
Ndërsa prodhuesit e tjerë nuk rreshtin së zbuluari risitë e tyre për panairin e Frankfurtit, në Hyundai kanë vendosur që për çështjen e trashëgimtarit të modelit të tyre Tucson të jenë të rezervuar. Prodhuesi korean na ka ofruar vetëm dy skica pa ndonjë detaj shtesë, dhe deri tani dimë vetëm që automjeti i ri do të quhet ix35 dhe ndoshta do të pajiset me motorin e ri turbo me benzinë me djegie të drejtpërdrejtë. Në mënyrë që deri diku të kënaqë ata që mezi presin ta shohin trashëgimtarin, ditët e fundit është prezantuar fotografia e parë zyrtare e automjetit të parë kompakt sportiv. Ajo që mund të thuhet për momentin është se trashëguesi i Tucsonit megjithatë nuk ka marrë aq shumë linja nga koncepti atraktiv ix-onic nga panairi i sivjetshëm në Gjenevë.
Bugatti Grand Sport Sang Bleu
Risjell versionin special të modelit “Veyron”
Duket se Bugatti nuk ngopet me versionet e reja të modelit Veyron. Pas Pur Sang, Bleu Centenaire, Sang Noir e Fbg by Hermes, Bugatti po përgatitet të lançojë edhe versionin më ekskluziv deri më tani “Grand Sport Sang Bleu”. Siç edhe e përshkruan emri, Veyron me “gjak blu” është i bazuar në modelin Grand Sport, që kur merret parasysh se do ta prodhojë vetëm në 20 njësi të Grand Sport e bëjnë edhe më ekskluziv. Edhe pse automjeti nga aspekti mekanik nuk dallon nga versioni standard Grand Sport, Sang Bleu megjithatë dallohet nga lyerja e jashtme me dy ngjyra. E argjendta i takon pjesëve të aluminit, ndërsa e bluja mbretërore mbulon pjesët nga fijet karbonike. Sang Bleu dallohet edhe nga thithësit e pasmë të ajrit dhe me mbulesat speciale të aluminit.