Prishtinë -Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu deklaroi sot në Prishtinë se viti i ardhshëm do të jetë vit i vështirë për Kosovën, dhe për këtë autoritetet kosovare i presin shumë sfida. "Mund të them se integriteti dhe sovraniteti i Kosovës janë të garantuara, natyrisht ka sfida të shumta të cilat lidhen me rigjenerimin ekonomik, integrimin e komuniteteve, në këtë rast të komunitetit serb, një pjesë të tij, e cila ende heziton të jetë pjesë aktive, ndërsa në të njejtën kohë është sfidë e veçantë mbajtja e partneritetit të mirë me bashkësinë ndërkombëtare"-deklaroi Sejdiu në një intervistë për BBC-në.



Sipas Tij, nuk ka asnjë rrezik që Kosova të ndahet, sepse kjo siç thotë ai "do të sillte një situatë shumë të rrezikshme për rajonin". Presidenti kosovar ka shprehur gatishmërinë të takohet me udhëheqësit e Serbisë për të biseduar çështje të interesit të përbashkët të dy vendeve sovrane, por asnjëherë për tema që prekin sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.



"Për ne është e interesit që të bisedojmë për lëvizjen e lirë të qytetarëve, për çështjen e bashkëpunimit ekonomik, për çështjen e parandalimit të krimit të organizuar, që mund të jetë i karakterit rajonal dhe përtej, për çështje që kanë të bëjnë me projekte të rëndësishme si dhe për çështje që janë në interes të të dyja vendeve"- tha Presidenti Sejdiu.



Duke komentuar faktin se në Kosovë veprojnë UNMIK-u dhe EULEX-i dhe nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara Presidenti Sejdiu tha se Kosovës nuk i duhen dy misione ndërkombëtare, por beson se as bashkësisë ndërkombëtare nuk i duhen dy misione.