Prishtinë-Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu ka bërë sot homazhe te varri i Presidentit historik të Kosovës, dr.Ibrahim Rugova, në përvjetorin e tretë të ndarjes nga jeta. “Ne erdhëm sot në përkujtim si gjithmonë për presidentin historik të Kosovës dr.Ibrahim Rugova, personalitetin unikat, i cili me shembullin e tij të veçantë dha kontributin deri në shkrirje për Kosovën”-tha Sejdiu. Presidenti i Kosovës theksoi se ish-presidenti Rugova arriti që në situatat më të vështira të zhvillojë procese të rëndësishme dhe të udhëheqë popullin e Kosovës në një luftë të pashembullt politike, ku shtoi se bashkë me Adem Jasharin, udhëheqës legjendar i UÇK-së, mbeten një binom i pashkëputshëm për rezistencën, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, vijoi Presidenti Sejdiu.



“Sot falë këtyre sakrificave dhe gjithë njerëzve të këtij ideali, kemi Kosovën e pavarur që është njohur nga 54 shtete, Kosovën që ka përqafimin e botës demokratike, Kosovën së cilës i është dhënë zotimi se do të mbështetet në procese të rëndësishme të ecjes së saj, Kosovën që ka institucione stabile të qeverisjes dhe që tregon dhe dëshmon më së miri këtë vizion të ndërtuar, të hershëm edhe politik edhe të luftës, se do të jemi një faktor i rëndësishëm edhe për paqen dhe stabilitet dhe se do të kemi unin dhe ecjen tonë vertikale”, tha Presidenti Sejdiu

Pas homazheve te varri i Presidentit historik, Presidenti Sejdiu, i shoqëruar nga zonja e parë, Nezafete Sejdiu, vizitoi Familjen Rugova.



Pas takimit me familjarët, Presidenti Sejdiu shprehu edhe një herë përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të mbajtur në kujtesë të gjithmonshme rolin e veçantë dhe historik që ka pasur dhe ka Presidenti Rugova për të gjitha proceset e lirisë dhe të pavarësisë e ndërtimit të shtetit të pavarur të Kosovës.