Gani Sejdiu shumë shpejt pritet të gjejë një angazhim të ri, vetëm pak kohë pasi u nda me Trepçën 89, të cilën skuadër e udhëhoqi për një vit.
Trajneri i njohur kosovar në stinorin pranveror pritet të punojë në Shtabin Teknik të Trepçës, me të cilën skuadër para dy vitesh e pati fituar titullin e kampionit dhe Superkupën e Kosovës.
Aktualisht trajner i Trepçës është Fidaim Haxhiu. Por, ky i fundit ka mundësi që tia lirojë pozitën Sejdiut, vetëm që ky i fundit të kthehet në stadiumin olimpik Adem Jashari, ku edhe e kishte nisur karrierën si trajner.
Ndërsa, Haxhiu pritet ti ndihmojë Sejdiut, ashtu siç i kishte ndihmuar në të kaluarën kur ish-trajneri i Kosovës (V) udhëhiqte skuadrën gjelbërezi. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Trepçës, Nexhmedin Haxhiu.
Ganiu është njeri i Trepçës, andaj ai i ka dyert e hapura. Posa është ndarë me Trepçën 89, Gani është ftuar në klubin tonë nga trajneri ynë, Fidaim Haxhiu. Ata të dy kanë raporte të shkëlqyeshme mes veti. Andaj, unë besoj se Ganiu shumë shpejt do të bëhet pjesë e Shtabit Teknik, dhe nuk dyshoj në këtë. Por, cilit do ti takojë pozita e kryetrajnerit, Sejdiut apo Haxhiut, do të vendosin ata të dy. Nuk do ta kenë problem të arrijnë marrëveshje, sepse janë miq të mirë, dhe në fund të fundit kjo ka pak rëndësi, ka deklaruar Haxhiu për Express.
Në anën tjetër, edhe vetë Sejdiu ka pranuar se i janë hapur dyert e klubit, për të cilin ka nostalgji. Është e vërtetë se posa jam ndarë me Trepçën 89, Fidaim Haxhiu, por edhe Kryesia e Trepçës më kanë ftuar dhe i falënderoj shumë. Kjo më ka gëzuar, sepse dihet se si kemi kaluar gjithë ne aty dhe çfarë rezultate kemi pas arritur, ka pohuar Sejdiu.
Jam duke e shqyrtuar mundësinë. Jemi duke biseduar me Kryesinë, me Fidaim Haxhiun rreth situatës së Trepçës dhe rreth organizimit apo objektivave. Pra, jemi në bisedime dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Trepçën e konsideroj si shtëpi timen, ndërsa kryesinë e klubit, Fidaim Haxhiun e gjithë të tjerët i falënderoj që mi kanë hapur dyert, shtoi Sejdiu.
Ndërkohë, Nexhmedin Haxhiu ka paralajmëruar se skuadra Trepçës do ta riorganizimin për stinorin pranveror, posa të rregullohen gjërat në shtabin teknik. Xehetarët pjesën e parë të kampionatin e kanë përmbyllur në vendin e tetë me 19 pikë të tubuara.