ANKARA- Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu nis sot një vizitë zyrtare dyditore në Ankara, me ftesë të Presidentit të Turqisë, Abdullah Gyl. Pritet që kjo vizitë tu shtojë një dimension të ri marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve. Burime të ndryshme që konfirmojnë vizitën, shprehin opinionin se vizita do të fuqizojë bashkëpunimin shumë dimensional që ekziston në kuadër të lidhjeve historike dhe kulturore mes dy vendeve. Kjo është vizita e nivelit më të lartë që realizohet nga Republika e Kosovës në Ankara, pas pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Ceremonia e pritjes zyrtare do të zhvillohet në Pallatin Presidencial "çankaya". Pas takimit kokë më kokë mes dy presidentëve do të kalohet në takimin mes delegacioneve. Më pas të dy presidentët do të kenë një konferencë të përbashkët shtypi ku në praninë e tyre Presidenti i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA), Musa Kullakllëkaja (Musa Kulaklýkaya) dhe Ambasadori i Kosovës në Ankara, Bekim Sejdiu, do të nënshkruajnë Protokollin e Koordinimit me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA). Gjithashtu, Presidenti Sejdiu gjatë qëndrimit në Ankara do të ketë takime me Kryetarin e Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Mehmet Ali Shahin dhe Kryeministrin Rexhep Tajip Erdoan. Presidenti Sejdiu kishte marrë pjesë edhe në konferencën me temë "Kosova Dje dhe Sot" të organizuar majin e kaluar në Izmir.(m.a/BalkanWeb)