Sekretarja amerikane e shtetit, Condoleeza Rice do të zhvillojë javën e ardhshme një tur takimesh në Bruksel, Londër, Romë, Helsinki dhe Kopenhage. Lajmin e ka bërë të ditur Departamenti i Shtetit duke saktesuar se turi i saj do të zhvillohet nga 30 nëntori deri më 5 dhjetor. "Në Londër sekretarja amerikane e Shtetit do të takohet me shefin e diplomacisë britanike David Miliband", deklaroi zëdhënësi Sean McCormack.
Më pas ajo do të vijojë turin në Bruksel ku do të marrë pjesë në takimin vjetor të ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s. Takimi i radhës do të jetë në Romë, ku Rice do të takohet me kryeministrin italian, Silvio Berlusconi dhe homologun e saj Franco Fratini. "Më 4 dhjetor Rice do të ndalet në Helsinki për të marrë pjesë në një takim të OSBE-së dhe do të mbyllë turin e takimeve të saj në Kopenhage ku do të takohet me kryeministrin Anders Rasmussen dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Per Stig Moller", theksoi McCormack.