Nga Blendi Fevziu


Dy ditët e fundit renditjen e lajmeve më të lexuara të portalit www.opinion.al e dominonte thuajse në mënyrë ekskluzive historia e Shukri Xhelilit. Të gjitha lajmet e postuara për të, nga videoja e të brendshmeve të kthyera në hit, premtimet e deri tek informacionet mbi vajzën dhe historinë e saj përpiheshin me një kuriozitet të shumëfishtë. Me një lloj kurioziteti shoubizi, por edhe intrige politike, pa harruar gjykimin e rëndësishëm moral në këtë rast. Në Hit Paraden e lajmeve, Shukriu zinte vendin e parë, të dytë, të tretë, të katërt e të pestë


Ndërkohë nën kuriozitetin për të brendshmet e shkyera të Xhelilit dhe nën lajmet për abuzimin me postin publik të tij qëndronin disa lajme të tjera, që as më pak e as më shumë kanë një peshë të madhe në shoqëri.


Lajmi për punësimin në një post të rëndësishëm shtetëror lokal të një personi që kishte qenë arrestuar për trafik narkotikësh në 2006; Një histori tipike që po e cfilit Shqipërinë që prej vitit 2013 dhe që po kthehet në një mallkim.


Lajmi për përfshirjen në historinë e këtij personi të përsonaliteve të rëndësishme politike që shfaqeshin edhe krah tij në më shumë se sa një foto. Shfaqeshin në një inagurim pa pyetur kurrë se nga vinin paratë e investimit dhe a ishin legale ato?


Lajmi për largimin e Balilit, ndërkohë që në shtyp e në Tv diskutohej për rolin e tij në trafik droge dhe për përgjegjësinë që ai kishte. Përgjegjësi që ai vetë e kishte mohuar. Një mohim që e ka kompromentuar ai vetë duke u larguar në drejtim të paditur.


Lajmi për pajisjen e paligjshme të përgjimit, që askush nuk di të thotë si është futur në Shqipëri, përse është përdorur dhe kush e ka nën kontroll!


Lajmi për sharrimin e një segmenti të autostradës Durrës Rrogozhinë, ku humbën jetën dy fëmijë të pafajshëm dhe ku në 1 vit kanë ndodhur 5 aksidente. Një akt i pastër korruptiv dhe përfitimi për të cilin Prokuroria dhe gjykata kanë dërguar deri tani në burg 3 vetë.


Lajmi për humbjen e mandatit të një deputeti të rëndësishëm, i cili kishte vijuar të përfitonte fonde publike edhe pasi u bë deputet.


Lajmi për masakrimin e një gazetari që tashmë, thuajse u harrua nën zhurmën e ngjarjeve të reja.


Të gjitha këto u tretën, ose mbetën pas, thuajse pornografia dhe abuzimi i pastër i një zyrtari publik, të ishte më i rëndësishëm se sa gjithë këto mijëra abuzime që marrin jetë, shkelin ligjin dhe ushqejnë krimin çdo ditë. Nuk ka asnjë dyshim që ajo që u dokumentua me Xhelilin është shumë e rëndë. Një person që ka marrë votat për ti shërbyer qytetarëve dhe abuzon me pushtetin duke tentuar marrëdhënie seksuale me një vajzë që është në moshën e fëmijëve të tij, është e ndëshkueshme moralisht dhe ligjërisht. Dhe çështja ka marrë ndërkohë edhe rrugë ligjore. Por të ekzaltohesh nga të brendshmet e Shukriut dhe të fokusohesh në historinë e tij, më shumë se sa në problemet e drogës, emërimeve kriminale, lidhjeve të politikës me krimin dhe shkeljes së ligjit, kjo nuk shkon. Kjo tregon se shoqëria rend pas skandaleve, pa u thelluar në fenomenet bazike që i prodhojnë ato. Dhe fenomenet nisin të gjitha tek lidhja e politikës me krimin Aty nis gjithçka. Edhe Shukriu në vetvete është një produk i saj./Opinion.al