Prokuroria e Vlorës  vendos nën sekuestro 220 hektarë tokë në zonën e Karaburunit, vlera e të cilës përllogaritet sipas çmimeve zyrtare në rreth 100 (njëqind) milionë euro, e dyshuar si e përfituar në bazë të dokumentave të fallsifikuar.


Sipas prokurorisë prona ishte regjistruar në emër të  Rajmond Mezit më pas “ajo është ndarë në dy pasuri të tjera, me sipërfaqe prej 130 ha dhe 90 ha. Më tej, mbi këto pasuri janë kryer transaksione të ndryshme, duke u tjetërsuar tek persona të tjerë dhe veprimet e tjetërsimit të kësaj pasurie janë pasqyruar më pas edhe ne regjistrat e ZVRPP Vlorë, veprime të cilat janë kryer me qëllim fshehjen e origjinës së pasurisë së mësipërme.


Lidhur me këtë falsifikim deri në këtë fazë të hetimit, ndodhen nën hetim disa persona të dyshuar se kanë kryer veprat penale të Falsifikimi i dokumentave e kryer në bashkëpunim, Shpërdorim detyre, Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.


Si nisi hetimi? Prokuroria e Vlorës ka nisur kryesisht hetimin dhe më tej i janë bashkuar edhe kallëzimet e dy shtetasve, të cilët pretendojnë pronësinë në një pjesë të kësaj hapësire. Pas veprimeve proceduriale, Prokuroria mori lejen e gjykatës për të vendosur nën sekuestro preventive të gjithë sipërfaqen e tokës, e cila është regjistruar në Hipotekën e Vlorës, bazuar në një seri dokumentash të fallsifikuar.


“Në bazë të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit të Njësisë Task-Forcë së Prokurorisë së Vlorës, ka rezultuar se prona me sipërfaqe 220 hektarë në Shën Vasil, Karaburun, fillimisht është regjistruar në emrin e shtetasi Rajmond Mezi.  Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se dokumentacioni që ka shërbyer për njohjen, kthimin dhe më pas regjistrimin e kësaj prone, është i fallsifikuar” informon prokuroria e Vlorës


Cfare eshte falsifikuar?


Konkretisht, rezulton se është fallsifikuar dokumenti datë 13/05/1943, në bazë të të cilës figuron si pronar shtetasi Jakup Mezi. Ky dokument i fallsifikuar është paraqitur me pas në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, gjatë shqyrtimit gjyqësor për njohjen e pronësisë trashëgimtarit Rajmond Nezi.


Po kështu, nga hetimet rezulton e provuar se vendimi nr. 100, datë 19/04/1994 ish-KKKP-së Bashkia e Qytetit Vlorë, i paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, është i falsifikuar.


Gjithashtu nga hetimet rezulton se edhe vendimi gjyqësor civil nr. 1360, datë 29/12/2000 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, përmes të cilit është kthyer fizikisht sipërfaqja e pronës prej 220 ha, është i falsifikuar.


“Kjo është e provuar pasi, nga të dhënat e deritanishme, është provuar se e gjithë dosja që i përket këtij vendimi gjyqësor është fallsifikuar dhe më pas është regjistruar ne indeksin e vendimeve gjyqësore dhe bërë pjesë e arkivit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, në kundërshtim të plotë me ligjin”


“Nga hetimet e kryera, është provuar se pasuria e mësipërme, është regjistruar në regjistrin hipotekor datë 12/10/2012, me përshkrimin Një sipërfaqe kullotë prej 220 ha, në vendin Karaburun sipas kufinjëve, në emër të shtetasit Rajmond Mezi”


 


 


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter