Goditen dy raste të armëmbajtjes pa leje dhe katër raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike në Tiranë.  Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale armë zjarri pistoletë, automatikë, krehëra, disa fishekë, automjet, lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe Kokainë. Në vijim të zbatimit të Forcës së Ligjit në territor janë ushtruar kontrolle në lokale, ambiente, banesa dhe në akset rrugore të kryeqytetit për kapjen e personave në kërkim, të atyre që posedojnë sende apo lëndë të kundraligjshme.


Gjatë kontrolleve u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit; Premtim Qendro, 44 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e këtij shtetasi u gjet dhe bllokua në cilësinë e provës materiale 61 gramë lëndë e dyshuar kokainë, 7 doza me lëndë të dyshuar Cannabis Sativa dhe një thikë;  Baftjar Selimi, 54 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Pitall, në banesën e këtij shtetasi u gjet dhe bllokua 2 kg e 147 gramë lëndë narkotike e llojit Cannabis Sativa; Ferit Xhani, 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në rrugën Pjetër Budi, iu gjet dhe bllokua në cilësinë e provës materiale 16 doza me lëndë të dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa; Gerli Prifti, 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në rrugën Pandi Dardha iu gjet dhe bllokua në cilësinë e provës materiale 6 doza me lëndë të dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa; Juljan Shullazi, 27 vjeç, banues në Vorë, pasi në Fushë-Prezë gjatë kontrollit të ushtruar të mjetit tip Benz, iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë. Iu bllokua dhe mjeti në cilësinë e provës materiale.


Si dhe u shpall në kërkim për veprën penale Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak, shtetasi  A. H., 39 vjeç, banues në Kamëz, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesë iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri automatik dhe një krehër me sasi fishekësh.


Forca e Ligjit në Territor do vijojë kontrollet në të gjithë territorin e qarkut Tiranë, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë.


19 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)