Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, për të përditshmen serbe "Danas" ka thënë se statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, do të formohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Në një intervistë për këtë të përditshme, Selimi u është përgjigjur disa kërkesave të zyrtarëve serbë të cilët kërkuan që të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës e jo marrëveshja e asociacionit, duke thënë se kushtetuta e vetme që do të pësojë ndryshim, është ajo e Serbisë.
"Ishte një vendim i mirëpritur pasi që krijon një strukturë të pastër kushtetuese kur e konsiderojmë hapin e radhës në procesin e implementimit të marrëveshjes së Brukselit. Marrëveshja parasheh që të bëhet një test i kushtetutshmërisë për statutin e Asociacionit".
"Presidenti i Kosovës e ka dërguar pak më parë Marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi i Kushtetueses në Kosovës ka qenë se parimet nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Këto komente tani duhet të inkorporohen në trupin e statutit", ka thënë Selimi, duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës sa i përket Asosacionit të Komunave Serbe, transmeton lajmi.net.
"Ne ju përkujtojmë se gjykata ka deklaruar se disa nga parimet e Asociacionit nuk janë plotësisht në përputhje me Kushtetutën, veçanërisht pika e 3-të në frontin e drejtësisë dhe kapitujt e të drejtave të njeriut si dhe të drejtave të komuniteteve. Gjykata gjithashtu ka vendosur që Asociacioni duhet të krijohen në linjë me Marrëveshjen e Parë nga viti 2013", ka thënë ai në këtë intervistë.