Miron Çako


Shëndetin, që nënkupton një plotësi të forcës jetike, e kërcënon gjithmonë sëmundja, e cila ka qenë, është dhe do të jetë, problemi më i madh, që njerëzit do të përballojnë deri në fund të jetës. Pavarësisht se vdekja është fatkeqësia më e madhe në botë, përsëri ndodh që midis lëngimit plot vuajtje në shtratin e sëmundjes dhe vdekjes së parakohshme, njerëzit në dëshpërim e sipër dëshirojnë vdekjen e shpejtë si fundin e sëmundjes.


Pavarësisht zhvillimit galopant të shkencës së mjekësisë në shek. XX dhe në fillimet e shek. XXI përsëri beteja me sëmundjen nuk është fituar, madje sëmundje të reja të pashërueshme si kanceri etj, po bëhen kërcënuese për jetën e njerëzve, të cilat kanë vënë mjekët me shpatulla pas murit. Sipas statistikave nga viti 1970 janë shfaqur më shumë se 20 sëmundje të panjohura më parë, për të cilat ende nuk është identifikuar një trajtim i plotë dhe efektiv. Raste të tyre shihen në çdo vend të botës. Mjekësia po monitoron zhvillimin e tyre dhe po përpiqet çdo ditë e më tepër ta kufizojë përhapjen e sëmundjeve të tilla, si dhe të zbulojë vaksina e mjekime të reja. Statistikat e kancerit në mbarë botën (National Cancer Institut) thonë: Kanceri është një nga shkaqet kryesore të vdekjes në botë. Në vitin 2012, pati 14 milionë raste të reja dhe 8.2 milionë vdekje të lidhura me kancerin. Parashikohet që numri i rasteve të reja të kancerit do të rritet në 22 milion brenda dy dekadave të ardhshme.


Sëmundja si fenomen i padëshirueshëm, prek jo vetëm njerëzit, por edhe kafshët, bimët, si makroorganizmat ashtu dhe mikroorganizmat deri tek qeliza që është shkaktarja e jetës. Shkaqet e sëmundjes janë nga më të ndryshmet dhe të shumta. Shkaqet më kryesore janë: trashëgimia, kequshqyerja, ushqime të modifikuara gjenetikisht, infeksionet seksualisht të transmetueshme, sëmundjet autoimune (këtu faktorët mbrojtës të imunitetit në vend që të luftojnë gjithçka që vjen nga jashtë, kthehen kundër qelizave të trupit dhe shkatërrojnë organe të ndryshme), faktorët mjedisorë, rrezatimet, alkooli, duhani, droga, stresi që është shkaktari më kryesor i sëmundjeve dhe mund ta quajmë vet sëmundja e brezit të sotshëm. Të gjitha këto shkaqe mund të jenë bashkë ose të ndara dhe bëjnë një listë të gjatë sëmundjesh që mund të kenë komplikacione të pashërueshme, por përveç këtyre shkaqeve të njohura, ka dhe nga ato të mistershme që sot për sot nuk mund të diagnostikohen dhe kurohen dot.


Pavarësisht diagnostikimit të morisë së shkaqeve fizike ose të jashtme, njerëzimi që nga zanafilla e hershme ka besuar se sëmundja ka lidhje me forca të padukshme që luftojnë njeriun dhe po ashtu me devijimet e botës së tij të brendshme, shpirtërore. Pra sëmundja është parë si një ndikim i shpirtrave të ligj ose i gabimeve njerëzore kundër zotave, prandaj shërimi duhet të vinte gjithmonë me lutje, yshtje për të larguar shpirtrat dhe me flijime për të marrë me të mirë zotat e zemëruar, kjo praktikuar nga popujt paganë si babilonezët, sirianët, egjiptianët, kinezët, romakët etj. Kështu shërimi ishte më shumë një shërbim që i besohej priftërinjve paganë. Pavarësisht se grekët e lashtë hodhën themelin e shkencës së mjekësisë dhe e panë mjekun si një humanist dhe më të pavarur nga zotat si tregohet në betimin e Hipokratit, përsëri asnjëherë ajo nuk u nda nga besimi dhe lutjet nëpër tempuj si nga i sëmuri, por edhe nga mjeku që kërkonte shërimin nga zoti i mjekësisë Asklepiu.


Por edhe për hebrenjtë edhe më pas për të krishterët që besojnë në një Perëndi Trashendent përsëri sëmundja është parë si pasojë e gabimit njerëzor dhe ajo ekziston në botë jo nga dëshira e Perëndisë, por për shkak të mëkatit fillestar të çiftit njerëzor, i cili nuk iu bind urdhërit të Perëndisë: Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri” (Zan. 2:17). Zoti nuk i tha do të vras, por me siguri ti do të vdesësh. Njeriu si qenie psiko-somatike (shpirt-trup) u krijua nga Perëndia si një krijesë e lumtur me potencial të pavdekshëm, kështu sëmundja ishte e panjohur në fillimin e ekzistencës së njeriut, por ai nuk qëndroi në këtë gjendje sepse siç e përmendëm më sipër ai mëkatoi, dhe vet fjala mëkat do të thotë devijim nga objektivi, Zoti i Jetës, që energjizonte jetën e lumtur të njeriut. Mëkati mbasi u krye, injektoi vdekjen tek shpirti i njeriut, që do të thotë jo se ai zhduket si qenie, por ekziston i tjetërsuar nga gjendja e lumturisë që është plotësia e jetës, në atë të frikës, hidhërimit, dëshpërimit, ankthit dhe errësirës shpirtërore të botës së vdekjes. Duke qenë se shpirti si frymë jete i jep jetë trupit që është baltë, gjendja e vdekshme e shpirtit reflektohet, transmetohet edhe në trupin, i cili pushon funksionin e tij normal dhe kështu fillon anomalia në strukturën e tij qelizore, duke shfaqur sëmundjen, që është një tregues i prishjes së harmonisë së trupit, por që reflekton prishjen e brendshme të shpirtit. Prandaj sëmundja që ka si shkak rebelimin mëkatar, e paraprin dhe e përshpejton vdekjen si përmbushja e mëkatit. Sepse paga e mëkatit është vdekja (Rom. 6:23).


Në këtë botë që varet nga drejtësia Hyjnore të gjithë njerëzit e kanë të pamundur ti shmangen sëmundjes sepse të gjithë mëkatojnë (Rom. 3:23) dhe bëjnë veprat e mishit, e natyrës së rënë, siç janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet, smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto (Gal. 5:19-21). Prandaj sëmundja është dhe tregues i zemërimit të drejtë të Perëndisë, madje ajo është edhe si mallkim; Kush mëkaton para Krijuesit të vet, rëntë në duart e mjekut (Sirakidi. 38: 15). Sëmundjes nuk i shpëtojnë as fëmijët të cilët pavarësisht se nuk kanë mëkate personale, lindin të sëmurë ose sëmuren para se të mëkatojnë me ndërgjegje.


Në raportin e Save the Children për vdekshmërinë foshnjore në botë, thuhet se çdo vit vdesin 8,1 milionë fëmijë nën moshën pesëvjeçare për shkak të sëmundjeve. Pjesa më e madhe e tyre (70%) është më pak se një vjeç; 40% nuk arrin të mbushë një muaj. Arsyeja që sëmundja i prek dhe i çon në vdekje është se edhe ata lindin me mëkat stërgjyshor, atë të Adamit dhe Evës, siç thuhet Në mëkat më lindi nëna ime (Ps. 50:5) dhe vijnë në një botë të infektuar nga mëkatet e prindërve dhe gjithë brezave, sepse kjo botë i ngjan një varreze kozmike, ku sëmundja dhe vdekja janë të pashmangshme.


Sëmundja është dhe një instrument që e përdor djalli njerivrasës dhe shkaktar i së keqes kundër njeriut mëkatar, sepse djalli e ka pushtetin tek mëkati personal, prindëror ose kolektiv. Prandaj sëmundja na lejon të shohim ndikimin e tyre mbi njerëzit dhe botën, që për shkak të mëkatit të njeriut është kthyer në një principatë të të ligut, ku gjithçka, njeriu dhe natyra lëngon e sëmurë nën peshën e mëkatit siç thotë dhe apostull Pavli: sepse krijesa iu nënshtrua kotësisë, jo me vullnetin e vet, po për shkak të atij (djallit) që e nënshtroi,…sepse e dimë se deri tani mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim (Rom. 8:19-22).


Pavarësisht se sëmundja siç e përmendëm më sipër është shfaqje e ligësisë së djallit, pasojë e mëkatit dhe shfaqje e zemërimit të drejtë të Perëndisë, përsëri Zoti i Gjithëmëshirshëm, kërkon ta shërojë njeriun që e ka krijuar sipas ikonës së Tij, Perëndisë. Një nga emrat e shumtë të Perëndisë që përmenden në Bibël është Jahve Rafeko që do të thotë Zoti që të shëron (Eks. 15:26). Vet Zoti që qorton dhe shëron, është mjeku më i mirë për njeriun, sepse Ai nuk e ka krijuar sëmundjen, por e përdor për ta korrigjuar njeriun nga mashtrimi i djallit dhe egoizmi i tij, vetëm në këtë kuptim mund të thuhet se: Zoti i dërgon sëmundje njeriut. Ai shëron drejtpërdrejt, duke vendosur brenda njeriut fuqi të madhe shëruese, siç është e vërtetuar në shumë raste gjatë shekujve deri në ditët tona, ku pavarësisht se mjeku ka hequr shpresa për shërim, i sëmuri është shëruar mrekullisht duke u lutur me besim. Kjo është arsyeja që njerëzit edhe sot e kësaj dite shkojnë në vend të shenjta për të gjetur shërimin e sëmundjeve që mjekësia nuk i kuron dot.


Por përveç shërimit të drejtpërdrejtë nga Zoti, në Bibël nuk përjashtohen barnat (ilaçet) të cilat janë dhuratë e Krijuesi, p.sh. në lidhje me shkencën e mjekësisë në librin Sirakidi thuhet: Nderoje mjekun sikurse i takon, sepse dhe atë e ka krijuar i Gjithëpushtetshmi. Prej Zotit ai ka diturinë dhe prej mbretit ai merr dhurata. I Gjithëpushtetshmi nga toka krijoi barnatme to bëhen shërime e zbuten dhimbje, barnatari bën përzierje barnash e kështu përhapet shëndeti mbi fytyrën e tokës. Bir në sëmundjen tënde mos ji i prishur, po lutju Zotit dhe ai do të shërojëpor jepi vend edhe mjekut sepse dhe atë Zoti e krijoi…. Ka raste ku shërimi është në dorën e tyre, por edhe ata i luten Zotit që ti drejtojë në njohjen e të vërtetës e ta shpejtojë shërimin (Sirakidi. 38: 1- 15).


Lidhjen e mjekësisë me besimin dhe mjekut me Zotin, si një shërbëtor i providencës Hyjnore na e dëshmojnë mjekët e kohve të sotme. Sipas (NBC Neës Com Health Care) në anketën e 1,044 mjekëve mbarëkombëtarë, 76 % thanë se besonin në Perëndinë dhe 59 % thanë se besonin në një lloj të jetës së përtejme, dhe 55 % thanë se besimet e tyre fetare ndikojnë në mënyrën se si praktikojnë mjekësinë. Dr. J. Edëard Hill, president i Shoqatës Amerikane të Mjekëve, thotë: se feja dhe mjekësia janë plotësisht të pajtueshme. Por ndërsa mjekësia është e bazuar në shkencën, mjekët ndryshojnë nga shkencëtarët që punojnë kryesisht në një mjedis laboratorik dhe kontakti i tyre i drejtpërdrejtë me pacientët në situatat e jetës dhe vdekjes mund të shpjegojë pikëpamjet e ndryshme, thotë Curlin. Kurrë nuk duhet të thotë mjeku se sëmundja është e pakurueshme, sepse prej këtij pohimi, ai mohon Zotin, Krijuesin tonë- thotë Morris Fishbein. Kirurgu i famshëm francez Z. Pare thotë: Kirurgu e mjekon plagën, Perëndia e shëron. Prandaj feja dhe mjekësia kanë një karakter të përbashkët sepse të dyja përpiqen të shërojnë njeriun, por besimi ka avantazh se duke u marrë me shërimin e shpirtit gjen shkakun dhe shëron sëmundjen e trupit. Të vetmet gjëra që Bibla ndalon janë formulat dhe përzierjet magjike që përdornin priftërinjtë paganë për shërimin e sëmundjeve, që fatkeqsisht po gjejnë aplikime sot në mjekësinë alternative si përdorimi hipnozës, apo çdo lloj terapie me karaker okult.


Por ajo që duhet theksuar është se shërimi nga Zoti, gjithmonë është i lidhur me pendimin dhe rrëfimin e mëkatit. P.sh. një mëkatar i sëmurë thërret: Ndërsa po heshtja, kockat e mia treteshin midis rënkimeve që kisha tërë ditën. Sepse ditë e natë dora jote rëndonte mbi mua, fuqia ime i përngjante thatësisë së verës. Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: “Do t`ia rrëfej shkeljet e mia Zotit”, dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim. (Psal 32:3-5)


Pavarësisht se e gjithë kjo i duket disave (ateistëve) si një opininon i kushtëzuar fetar dhe aspak shkencor, vetë shkenca e mjekësisë në ekzaminimet e saj të shumta për gjetjen e shkakut dhe terapinë e sëmundjes në përgjithësi, gjithnjë e më shumë po përqaset me doktrinën fetare duke konstatuar se gjendja shpirtërore, (stresi) ndikon në sëmundjen trupore. Sot gati 90% e vizitave të mjekëve janë për ankesa shëndetësore të lidhura me stresin. Lartësimi i vazhdueshëm i hormoneve të stresit jo vetëm që e bën trurin tonë të sëmuret, por ndikon edhe negativisht në trupin tonë dhe çon në një mori problemesh shëndetësore duke përfshirë shtimin e peshës, osteoporozën, problemet e tretjes, pabarazitë e hormoneve, kancerin, sëmundjet e zemrës, diabetin etj. Prandaj mjekësia moderne në trajtimin e pacientëve krahas terapisë me medikamente kimike, alternon dhe terapinë psikologjike, që ka të bëjë me rrëfimin e gjendjes së tyre të rënduar emocionale, shkaktuar nga gabimet ose fatkeqësitë në jetë.


I vetmi që si njeri ishte i imunizuar përballë sëmundjes ishte Jisu Krishti, Fjala dhe Biri i Perëndisë me anën e të cilit u bënë të gjitha dhe për Atë, i Cili për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë u bë njeri si ne përveç mëkatit. Ai ndjen mëshirë për njerëzit dhe shëron të gjithë të sëmurët nga çdo lloj sëmundjeje si fizike dhe shpirtërore që e ka shkakun tek mëkati. Gjatë kohës që Krishti vepronte në Izrael dhe rrethinat e tij, sëmundja u mund përfundimisht siç na e dëshmojnë ungjillorët sinoptikë: të gjithë ata që ishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme i prunë tek ai; dhe ai i shëroi duke vënë duart mbi secilin prej tyre (Luka. 4:40). E gjitha kjo ndodhi ashtu si ishte profetizuar për të: Ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona (Isaia. 53:4). Shërimi i Krishtit për të sëmurët fillonte në fillim me faljen e mëkateve, çlirimin e shpirtit dhe pastaj me shëndetin e trupit ashtu si Ai deklaronte publikisht: Nuk janë të shëndoshët që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët; unë nuk erdha për të thirrur të drejtët, por mëkatarët për pendim (Marku. 2:17). Ai pasi i shëronte të sëmurët i porosiste qartë: Ja, ti u shërove; mos mëkato më, që të mos të të bëhet një gjë më e keqe (Jn. 5:14)


Këtë fuqi shëruese Krishti nuk e mbajti për vete, ua dha nxënësve të tij (apostujve): Pastaj, mbasi i thirri bashkë të dymbëdhjetë nxënësit e vet, u dha atyre pushtet dhe autoritet mbi të gjithë demonët dhe të shërojnë sëmundjet (Luka 9:1). Apostujt këtë fuqi shëruese ia trashëguan Kishës Apostolike ashtu si përmendet edhe tek letra e apostull Jakovi: A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë; dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t`i falen. (Jakovi 5:14-15). Një nga shtatë misteret e Kishës Orthodhokse është Misteri i Efqelisë. Misteri i Efqelisë ose Vaji i Shenjtë, ka si qëllim shërimin dhe faljen. Për më tepër qëllimi i qartë i misterit është që nëpërmjet lyerjes së trupit të sëmurit me vajin e bekuar, vuajtjet e personit mund të shenjtërohen dhe mund të bashkohen me vuajtjet e Krishtit. Mirëpo ky shërim nuk ndodh në mënyrë të pashmangshme si të ishte një efekt magjik i lutjes, por gjithçka varet nga sinergjia e lutjes plot besim me hirin shërues të Zotit. Mrekullitë e Krishtit mbi të sëmurët në këtë botë janë një veprim eskatologjik se në Krishtin njeriu i sëmurë dhe i vdekshëm do të ringjallet përsëri me trupin si të Krishtit të ringjallur, për të hyrë në Mbretërinë e Zotit në jetë të përjetshme ku sëmundja dhe vdekja nuk do të kenë më pushtet mbi ata. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan. (Zbul. 21:4)


Sa të jetë kjo botë e rënë, njerëzimi do të mbartë pasojat e mëkatit, por duhet me durim të marrim mbi vete sëmundjet tona dhe me besim tek Zoti ti japim sëmundjes një kuptim të ri dhe do ta shohim jo më si mallkim, por si bekim dhe përkujdesje hyjnore për korrigjimin tonë. Sepse në qoftë se do ta vlerësojmë sëmundjen si pasojë e mëkatit dhe do të pendohemi me rrëfim për mëkatet tona, atëherë sëmundja do të jetë një parandalim për të vazhduar në të keqen dhe mbi të gjitha për të mos përfunduar në ferrin e përjetshëm ku do të shkojnë mëkatarët e papenduar. Zoti Jisu Krisht tha se: Kush fiton do t`i trashëgojë të gjitha gjërat; dhe do të jem për të Perëndi dhe ai do të jetë për mua bir. Kurse për frikacakët dhe të pabesët, dhe të neveritshmit dhe vrasësit, dhe kurvëruesit dhe magjistarët, dhe idhujtarët dhe gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë” (Zbu. 21:7-80). Jo gjithmonë Perëndia në Krishtin ka premtuar të shërojë çdo sëmundje, sepse sipas gjithëditurisë së Perëndisë është më mirë për ne në disa raste të vazhdojmë të jemi nën ndikimin e sëmundjes dhe kjo për të mirën tonë, që ne mos ta përdorim fuqinë e trupit për të bërë mëkat për shkak të dobësisë së karakterit dhe tundimeve të djallit. Shën Pais Agjoriti thotë se mjekët e kanë parasysh zbulimin e ilaçit për të kuruar kancerin, por Zoti nuk e lejon sepse nëpërmjet kësaj sëmundjee shumë veta shpëtuan, që domethënë ata u ndërgjegjësuan për mëkatet e tyre, u penduan, u përulën dhe kërkuan Perëndinë dhe kështu shpëtuan shpirtrat nga mundimet e ferrit.


Një histori me shumë kuptim na e tregon këtë gjë: Dikush vuante prej shumë kohësh në shtrat duke iu ankuar Zotit për sëmundjen, atëherë Perëndia dërgoi një engjëll që i tha: Zoti e dëgjoi lutjen tënde, po të jep dy zgjidhje, ose të durosh tre vjet sëmundjen në shtrat, ose tre ditë në ferr. Duke menduar se tre ditë në ferr, sado të dhimbshme që të ishin do të kalonin shpejt, i thotë engjëllit: Pranoj tre ditë në ferr dhe mbasi engjëlli e mori dhe e dërgoi në vuajtjet e ferrit ai ngriti kokën lart dhe pa engjëllin dhe i thirri: dhe ju engjëjt gënjeni?! Më the që do të qëndroja tre ditë në ferr, por këtu kam shekuj të tërë atëherë engjëlli i tha: je i gënjyer sepse nuk ke asnjë orë në ferr. I penduar ai thirri përsëri engjëllit duke i thënë: Më mirë të vuaj gjithë jetën i sëmurë në shtrat sesa të rri dhe një çast në ferr.


Përveç se sëmundja është një pastrim, një çlirim nga mëkati, kur ne përballojmë atë me durim duke lavdëruar Perëndinë, ky është tregusi se ne vërtet i besojmë përkujdesjes Hyjnore dhe nuk ka lavdërim më të madh se ky për Zotin dhe ofrim më të lartë për shpëtimin e vetes dhe të tjerëve, duke imituar vetë Krishtin, që mori mbi vete sëmundjet tona, ashtu si apostull Pavli tha: Tani askush mos më shqetësojë; se unë mbaj shenjat e Zotit Jisu në trupin tim (Gal 6 17). Por edhe kur qëndrojmë me përkushtim pranë të sëmurëve të tjerë kjo bëhet shkak i një bekimi të madh, sepse ne në këtë situatë takojmë Krishtin Zotin, që mban sëmundjet tona, i Cili kur të vijë për herë të dytë në botë, që të gjykojë gjithë njerëzit sipas veprave të tyre, do të na thotë: Ejani të bekuarit e Atit tim merrni në trashëgim Mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës: se isha i sëmurë dhe ju më vizituat (Mateu 25: 36).


*Përgjegjës i Zyrës Katekizmit KOASH