Sëmundjet e qarkullimit të gjakut janë rezultat i mosfurnizimit të mirë me gjak të organeve. Zemra, organi kryesor i qarkullimit, ashtu si gjithë organet e tjera, mund të preket nga këto sëmundje, domethënë problemet e zemrës mund të jenë edhe shkak, edhe pasojë e sëmundjeve të qarkullimit. Funksioni i sistemit qarkullues është që të furnizojë me lëndë ushqyese indet, të largojë që andej mbeturinat, të përhapë nxehtësinë në periferi, dhe të shërbejë si rrugë për produktet e sistemit endokrin dhe të sistemit imun. Zemra është pompa. Përbëhet nga katër dhoma, dhe ka katër valvula. Barkushja e majtë (ventrikuli i majtë) pompon gjak në qarkullimin sistemik, ku presioni është rreth 80-120 mm Hg, kurse barkushja e djathtë pompon në qarkullimin mushkëror, ku presioni është rreth 8-25 mm Hg. Barkushet janë pompa të fuqishme me mure të trasha muskulore, dhe prandaj presioni i gjakut venoz (0-2 mm Hg) nuk arrin t’i tendosë. Veshoret (atrium) janë dhoma me mure të holla e të tendosura, që shërbejnë si rezervuarë për gjakun venoz, por që njëkohësisht mund të tkurren e ta pompojnë gjakun me njëfarë presioni për në drejtim të barkusheve.

Funksioni

Në mënyrë që pompa (zemra) të kryejë funksionin e saj duhet që: muskuli i zemrës të jetë shëndoshë e mirë; sistemi elektrik i zemrës të koordinojë tkurrjen e veshoreve dhe të barkusheve; dhe duhet që muskuli të furnizohet rregullisht me gjak. Gjatë tkurrjes (sistolës) të barkushes të majtë, presioni brenda barkushes natyrisht është më i lartë sesa presioni në aortë. Kjo e pengon qarkullimin e gjakut në shtratin koronar. Gjithashtu, fillesa e arterieve koronare gjatë sistolës mbyllet nga kuspet e valvulës të hapur të aortës. Si rrjedhojë, enët koronare nuk mund ta furnizojnë me gjak barkushen e majtë gjatë sistolës. Barkushja e majtë furnizohet me gjak vetëm gjatë diastolës. Nëse diastola shkurtohet, barkushja e majtë ka më pak kohë për t’u furnizuar me gjak. Valvulat e zemrës duhet të jenë të afta të hapen plotësisht dhe të mbyllen plotësisht. Stenoza është ngushtim i vrimës të valvulës. Mbyllja jo e plotë përbën pamjaftueshmëri të valvulës. Pasojë e pamjaftueshmërisë është regurgitimi (rikthimi i gjakut).

Enët e gjakut

Enët e gjakut duhet të kryejnë disa funksione. Arteriet duhet të jenë në gjendje të durojnë presione të larta dhe të përballojnë rrjedhje të shpejta të gjakut. Problemi është se rrjedha e shpejtë e gjakut i merr me vete ca nga qelizat e endotelit të arterieve, sidomos në pikat e degëzimeve ku rrjedha bëhet turbulente; dhe presioni i lartë brenda arterieve paraqet probleme për furnizimin me gjak të murit arterial nga vasa vasorum.

Kapilarët

Kapilarët janë enët më të vogla të gjakut. Funksioni i tyre është shkëmbimi i lëndëve, lëvizja e lëndëve midis enëve të gjakut dhe indeve. Që të kryejnë këtë punë, sipërfaqja totale e gjithë kapilarëve është shumë e madhe (sipërfaqja e madhe lehtëson difuzionin). Si pasojë, rrjedha e gjakut në kapilarë është e ngadaltë dhe kapilarëve u duhet të prodhojnë lëndë antikoagulante për të parandaluar trombozën (rrjedhja e ngadaltë është një nga tre faktorët që predispozojnë për trombozë; dy të tjerët janë dëmtimi i endotelit, dhe rritja e aftësive koaguluese të gjakut). Muret e kapilarëve janë shumë të holla dhe mure të tilla të dobëta nuk mund ta përballojnë presionin e lartë arterial. Presioni kapilar është shumë më i vogël sesa presioni arterial. Ulja e presionit bëhet e mundur nga arteriolat.

Venat

Venat rikthejnë gjakun në zemër. Që të kryejnë këtë funksion, venat janë të pajisura me valvula që nuk lejojnë kthimin e gjakut mbrapsht. Tkurrja e muskujve të gjymtyrëve i shtrydh venat dhe e shtyn gjakun drejt qendrës (pompa muskulore). Po ashtu, presioni negativ gjatë frymëmarrjes ndihmon kthimin e gjakut për në zemër.

Gjaku

Gjaku (lat. Sanguis) është një ind i lëngshëm, i cili me ndihmën e zemrës dhe enëve të qarkullimit të gjakut mirëmban funksionet e organeve të tjera të trupit nëpërmjet transportit dhe lidhjeve. Gjaku qarkullon nga puna mekanike e muskulit të zemrës nëpër enët e gjakut. Trupi i njeriut përmban 5-6 litra gjak. Gjaku përmban: eritrocite (qelizat e kuqe), leukocitë (qelizat e bardha), trombocite dhe plazma, në të cilën notojnë qelizat. Pjesët e ngurta përbëjnë 45 për qind, kurse pjesa e lëngët 55 për qind. Eritrocitet përmbajnë hemoglobinë. Kjo proteinë është përgjegjëse lidhjen dhe transportin e oksigjenit. Në të vërtetë përbëhet prej globinës dhe hem-it, i cili me hekurin formon një kompleks.



Funksionet

Gjaku së bashku me pjesët përbërëse të tij përmbush një sërë funksionesh:

Transport (oksigjeni, hormonet, mbeturinat e metabolizmit)

Rregullim (baraspeshën e ujit, elektroliteve, temperaturës, vlerës së pH-së)

Mbrojtje (nëpërmjet limfociteve, antitrupave, koagulimit dhe fibrinolisës)

Enët e gjakut

Enë gjaku (latinisht Vas sanguineum) quhet një strukturë në formë gypi në të cilën qarkullon gjaku. Të gjitha enët e gjakut së bashku formojnë Sistemin e qarkullimit të gjakut.

Në kushte normale enët e gjakut e transportojnë gjakun prej zemrës në periferi dhe e kthejnë atë përsëri në zemër.

Enët e gjakut ndahen në:

Arterie

Arteriole

Kapilare

Venole

Vena

Ndërtimi

Shtresat e murit të enëve të gjakut

Muri i enëve të gjakut përbëhet prej tre shtresave:

Tunica externa (Adventia)

Tunica media

Tunica interna (Intima)



Sëmundjet inflamatore

Inflamacioni mund të shkaktohet nga agjentë të jashtëm infektivë; agjentë të jashtëm joinfektivë; procese autoimune; shkaqe të tjera.

Infeksionet

Infeksionet e zemrës

Miokardit, kryesisht viral

Valvulat - endokardit infektiv

Perikardi - perikardit infektiv

Infeksionet e enëve të gjakut

Sifilisi (terciar), prek kryesisht pjesën e parë të harkut të aortës

Infeksionet e qelizave endoteliale nga Rickettsia

Infeksionet e enëve limfatike

Limfangit-zakonisht nga bakteret, shpesh nga Streptocoçus

Limfadeni-bakteret me kapsula

Sëmundje autoimune

Ethja reumatike - 2 javë pas infeksionit me Streptocoçus pyogenes

Llojet e ndryshme të vaskuliteve

Arteritis-Takayasu, Ëegener, PAN, etj.

Shkaqe të tjera

Infarkti i miokardit-pasohet nga infiltrate inflamatore

Uremia

Tromboza e venave-shpesh pasohet me tromboflebit



Përgatiti: Jonida Tashi



Të rejat nga shkenca

Shtatzënat nuk duhet t’i përdorin celularët

Edhe pse vazhdimisht paraqiten studime kundërthënëse në lidhje me përdorimin e telefonave celularë, ende nuk është e qartë nëse vërtet përdorimi i celularëve mund të jetë shkaktar i sëmundjes Alzheimer ose mund të sjellë sterilitetin te meshkujt, ose sipas studimeve tjera radio-valët nuk kanë asnjë ndikim negativ në shëndetin e njeriut. Sipas një studimi më të ri, të realizuar nga UCLA (Universitet e Kalifornisë në L.A.) dhe nga Universiteti Aarhus i Danimarkës, ekspertët kanë ardhur në përfundim se përdorimi i telefonave celularë gjatë shtatzënisë, edhe atë vetëm dy ose tri herë në ditë, mund të shkaktojë probleme të mëvonshme në sjelljen e fëmijës, hiperaktivitet dhe çrregullime të ngjashme. Shkencëtarët nga të dy Universitetet, të cilët kanë marrë pjesë në këtë studim kanë qenë të befasuar nga rezultate e fituara, mirëpo kanë pohuar se nevojiten studime shtesë për t’i vërtetuar këto rezultate.

















20 Maj 2008