25-11-2012 / Gazeta 55

Ambasadorët e BE dhe OSBE apelojnë për miratimin e ligjeve të statusit

Ambasadori i OSBE Eugen Vollfarth  dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Sequi kanë bërë thirrje që palët politike duhet t’i shuajnë mosmarrëveshjet përmes dialogut. Ambasadori Sequi vuri theksin te rëndësia e përmbushjes së detyrave të integrimit në mënyrë që BE të konstatojë progres në 12 pikat e paketës së rekomandimeve të statusit. Ndërsa, Eugen Vollfarth theksoi se OSBE është për shtetin e së drejtës, respektimin dhe zbatimin e drejtësisë. “Duhet të sqarohet nga ana e Shqipërisë sepse bëhet fjalë për një çështje të brendshme të Shqipërisë që ka nevojë për një zgjidhje të mirë në favor të këtij qarku, por edhe për të mirën e gjithë vendit. Unë shpresoj të gjendet një zgjidhje e mirë e korrekte në mënyrë që ajo që pritet bëhet në të ardhmen, të bëhet siç duhet. Qytetarët duhet t’i kenë gjërat e qarta dhe kjo duhet të ndodhë sa më shpejt. Nëse më pyesni se cilën anë mbaj, unë do t’ju them se kam mbajtur dhe mbaj anën e shtetit të së drejtës”, theksoi ambasadori i OSBE-së. Duke u ndalur në çështjen e qarkut të Fierit, e shumë-diskutuar dhe shndërruar në akuza mes palëve politike, ambasadori ka theksuar se ajo është një çështje që duhet të zgjidhet mes palëve. “Është një debat që bëhet më shumë për shtetin e së drejtës. Ne sigurisht i ndjekim nga afër debatet këtu në Shqipëri, është diçka e brendshme që duhet zgjidhur brenda palëve, sigurisht që duhet gjetur një zgjidhje në favor të qarkut të Fierit, por mesa kuptoj dhe në favor të gjithë vendit”, u shpreh Vollfarth. Këto komente ambasadorët Sequi dhe Vollfarth i bënë nga qyteti i Fierit, ku morën pjesë në inaugurimin e objektit “Europa Plazza”, një vepër artistike ku mëshirohen mesazhet historike dhe vizioni për të ardhmen.

...