ZAGREB- Serbët këshillojnë presidentin e ri kroat Ivo Josipovic të mos e vizitojë Kosovën. Një lider etnik në Kroaci, Milorad Pupovac ka deklaruar se nuk do të jetë veprim i matur, në rast se Josipovic viziton Kosovën, ashtu sic bëri në fund të mandatit të tij presidenti që largohet Stipe Mesic. Ky politikan serb në Kroaci në një intervistë për Dojce Vele sugjeron që Josipovic vizitën e parë ta kryejë në Beograd dhe në Bosnjë Hercegovionë dhe të takojë shumë shpejt presidentin serb Boris Tadic. Por marrdhëniet mes Kroacisë dhe Serbisë janë acaruar shumë së fundi, pasi që të dy vendet kanë ngritur padi kundër njëra-tjetrës në gjykatën e drejtësisë në Hagë. Nga ana tjetër Kroacia dëshmoi në Gjykatën e Hagës pro Kosovës në gjyqin për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Vizita e fundit në Kosovë e Stipe Mesic vulosi armiqësinë me Beogradin. Por Josipovic i cili fitoi zgjedhjet për president të Kroacisë të dielën e shkuar, në raundin e dytë, ka thënë se është shumë i lumtur të vizitojë Beogradin sapo të bëhen përgatitjet e nevojshme. Sipas Josipovic bashkëpunimi mes Beogradit dhe Zagrebit duhet të jetë më i mirë, pasi kjo garanton sigurinë në rajon.(m.a/News24/BalkanWeb)