Për të përmbushur kërkesat për hapin e ardhshëm të anëtarësimit në BE, Qeveria serbe duhet të zbatojë reformën e shërbimeve të sigurisë. Parlamenti Evropian (PE) ka rekomanduar në mars që Serbia të forcojë mbikëqyrjen dhe kontrollin parlamentar të shërbimeve të sigurisë, ndërsa kërkoi që arkivat kombëtare të bëhen publike - sidomos dosjet sekrete nga epoka e ish-Jugosllavisë.

Përkundër sugjerimeve të Brukselit, gjatë fushatës së fundit të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, reforma e shërbimeve të sigurisë nuk u përmend në mesin e prioriteteve të qeverisë së ardhshme.

"Ka rezistencë për hapjen e arkivave sekrete në Serbi dhe shtete tjera të ish-Jugosllavisë, sepse kështu që ka gjasa të zbulohet roli i shërbimeve të sigurisë shtetërore në konfliktet e armatosur të viteve 1990", ka thënë për SETimes Jelena Milic, drejtoreshë e Qendrës për Studime Euro-Atlantike (CEAS), transmeton Telegrafi.

Ajo shtoi se çështja e hapjes së dosjeve është e lidhur me vrasjet politike, krimet në Kosovë dhe vrasjet e civilëve gjatë sulmeve ajrore të aleancës të NATO-s, të cilat deri tani Qeveria nuk ka dashur t’i trajtojë.

"Për shkak se nuk janë shpërndarë në atë kohë, shërbimet sekrete të vendeve të ish-Jugosllavisë, si dhe individë në shërbimet sekrete, kanë qenë dhe ende janë fajtorët kryesorë të krimit të organizuar në Ballkan", ka thënë Zoran Dragisic, profesor në Fakultetin e Sigurisë në Beograd.

Një tjetër arsye pse qeveria serbe shmangë hapjen e dosjeve është se ato mund të zbulojnë njerëzit të cilët morën pjesë në veprime të paligjshme gjatë konflikteve të viteve 1990 në ish-Jugosllavi e të cilët janë ende duke punuar në sektorët e mbrojtjes dhe të policisë, kanë thënë nga Lëvizja e Ripërtëritjes Serbe (SPO).

"Hapja e dosjeve është gjëja më e vogël që ua kemi borxh qytetarëve serbë. Ishte ky premtimi i madh i opozitës demokratike të Serbisë, që ka përmbysur regjimin e Slobodan Milosevicit", tha deputeti i SPO-së, Aleksandar Jugovic.

Presidenti i SPO-së, Vuk Draskovic, ka qenë viktimë e dy atentateve, të organizuara nga shërbimet sekrete serbe. Në vitin 2004 dhe në vitin 2010, SPO propozoi ligjin për të hapur dosjet e shërbimit të sigurisë, por propozimi nuk arriti në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme.

"Mendoj se dosjet nuk do të hapen, sidomos jo ato që lidhen me ngjarjet në Kosovë", ka thënë Sonja Biserko, drejtoreshë e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

CEAS ka kërkuar që qeveria e ardhshme e Serbisë menjëherë të propozojë një ligj për hapjen e arkivave, ndërsa u bënë thirrje të gjithë politikanëve në Serbi që publikisht t’i paraqesin argumentet e tyre për dhe kundër këtij veprimi.