Prishtinë, 2 shtator - Nënkryetari i Komitetit Olimpik të Serbisë, Zharko Paspalj, ka thënë se Federata e Basketbollit e Serbisë nuk mund ta pengojë pranimin e FBK-së në FIBA. Sipas Paspaljit, Federata e Basketbollit e Kosovës mund të anëtarësohet në atë ndërkombëtare që në Kongresin e FIBA-s që do të mbahet më pesë e gjashtë shtator. Paspalj është ish-basketbollist i njohur serb.


"Kosova e ka përkrahjen politike dhe sportive të shteteve më të forta në botë. Nuk ka dilemë që ajo do të arrijë të shtyjë tregimin e saj në FIBA. Në krye të FIBA-s qëndrojnë njerëz nga vende të pasuksesshme të basketbollit që nuk brengosen për ndjenjat e askujt, pra as tonat", ka thënë Paspalj për të përditshmen beogradase "Alo".


"Mendoj që nuk kemi shanse për të ndaluar pranimin e Kosovës në FIBA. Drejtuesit e Federatës sonë mund të paraqesin ankesë, por hapa të tillë nuk kanë kurrfarë vlere, pasi FIBA vazhdimisht na refuzon. është reale që Federata e Basketbollit e Kosovës, me përkrahjen që ka, të bëhet anëtare e FIBA-s. Nëse nuk pranohet tani, do të pranohet për më së shumti një apo dy vjet", ka shtuar ish-basketbollisti serb.


44-vjeçari Paspalj gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe në NBA për skuadrën San Antonio Spurs. Karrierën e ka nisur në Buduqnost të Podgoricës, ndërsa më pas ka luajtur edhe për Partizanin e Beogradit, klubet më të njohura greke dhe Kinder Bolognan në Itali. Me përfaqësuesen e Jugosllavisë ka fituar medalje në kampionate botërore, evropiane dhe Lojërat Olimpike.


Edhe drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Serbisë kanë thënë se FBK-ja mund të pranohet në FIBA në kongresin që mbahet pas një jave.


Ndërsa, vetë kryetari i FBK-së, Erolld Belegu, nuk pret që në kongres të ketë ndonjë vendim për pranim.


"Në tre muajt e ardhshëm presim të ketë zhvillime interesante sa i përket ndërkombëtarizimit. Kërkesa jonë për pranim do të shqyrtohet në mbledhjen e parë të Bordit të ri të FIBA-s, ndërsa jemi duke punuar edhe me Bordin e FIBA Evropës", ka thënë Belegu.