BEOGRAD-Kisha ortodokse serbe ka zgjedhur peshkopin e Nishit, Irinej Gavriloviç, në krye të saj. BBC bën të ditur se Patriarku 80-vjeçar, për të cilin thuhet se ka pikëpamje të moderuara, zëvendëson Patriarkun Pavle, i cili vdiq nëntorin e kaluar. Irinej konsiderohet si një figurë më e moderuar se disa nga tre kandidatët e tjerë që konkuruan për t'u zgjedhur në raundin e fundit të procedurës së zgjedhjes së patriarkut të ri. Emrat e tre kandidatëve që kaluan në fazën përfundimtare, u vendosën në zarfa të vulosur dhe njëri prej tyre u zgjodh ashtu siç i ra fati. Serbët në fakt besojnë se përzgjedhjen e bën Fryma e Shenjtë. Irinej është një figurë e moderuar dhe modeste që mendohet se mund të shërbejë si urë lidhëse midis krahëve të ndryshëm në Kishën serbe. Patriarku ka një rol ndikues në Serbi, ku 85 për qind e popullsisë deklaron se është ortodokse. Shumë serbë e dëgjojnë zërin e Kishës për çështje shoqërore dhe politike. Duket se në një vend që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, zgjedhja e një figure më pak konservatore mund të kënaqë qeverinë pro-perëndimore të Serbisë. Irenije bëhet patriarku i 45-të i një prej Kishave më të vjetra Ortodokse në botë. Kisha serbe ende konsiderohet si e afërt me ultranacionalistët, që e kanë përdorur Kishën për të përhapur imazhin e tyre të një Serbie të Madhe gjatë luftrave të viteve 90-të në rajon. Dhe sic thekson seksioni i BBC ne shqip, tani shumë vetë besojnë se Patriarku i ri duhet të përpiqet ta ndryshojë këtë imazh. (d.b/BalkanWeb)