Tradita e këngës në Korçë kanë një domethënie të veçantë kur ato quhen me plot krenari për këtë qytet “Serenata Korçare”.
Serenatat kanë patur kulmin e tyre të hershëm në këtë qytet të Shqipërisë duke sjellë origjinalitetin e padiskutueshëm që kishte të bënte me rolin që ajo luajti në botën shpirtërore korçare. Kori lira ishte kori i parë i cili dhanë me albumet e tyre himnet e padiskutueshme të serenatave korçare.
Për hir të së vërtetës duhet pranuar se mjaft nga serenatat e krijuara e të kënduara në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX kanë qenë imitime të serenatave të huaja, jo vetëm të Qefalonisë në Greqi, por edhe të serenatave italiane dhe spanjolle.
Është meritë e të rinjve korçarë që e përqafuan të parët këtë risi të muzikës së lehtë europiane në vendin tonë i kanë rënë në dorë tri fletore me tekste serenatash të shkruara prej serenatistit Sotiraq Mite.
Origjinalitetin e saj, serenata korçare, në ndryshim nga kënga lirike, e ka edhe te vendi i interpretimit. Serenata është krijuar për t’u kënduar në rrugë, në skenën natyrore, nën një dritare apo ballkon dhe, detyrimisht kur bie mbrëmja. Këngëtari i serenatës, i mbështjellë nga velloja e natës dhe misteri, është i dashuruari poshtë dritares së të dashurës, e cila ka një emër të përveçëm.
Apoteoza e serenatës është lëvizja e lehtë e perdes së dritares, që zëvendëson duartrokitjet dhe drithërimat e sallës. Serenata është shumë më modeste edhe për instrumentet muzikore. Asaj i mjafton një mandolinë apo kitarë. Në fillimet e saj i mjaftonte vetëm fyelli… Pas çastit të ekzekutimit të saj të parë, “premierës” nën dritare, serenata fiton “qytetarinë” e saj për t’u kënduar në rrugë, gosti, në dasma e kudo.
Serenata në shtatë breza
Serenata korçare, gjatë ekzistencës së saj afro 150-vjeçare, numëron shtatë breza serenatistësh. Në Korçë janë të zakonshme familjet që kanë pasur nga dy apo tre breza serenatistësh.
Një nga këto familje të vjetra këngëtarësh është edhe familja Bimbli. Ata këndonin familjarisht me burra dhe gra, zakonisht në oborr apo në shkallët e gurta të shtëpisë së tyre në qendër të qytetit te lulishtja e “Themistokli Gërmenjit”, që njihet edhe si një nga qendrat burimore më të hershme të serenatës korçare. Të moshuarit tregojnë edhe sot për atë traditë të bukur që kishin në rininë e tyre të largët për t’u mbledhur e për të kënduar tok në “pare” ose siç u quajtën më vonë edhe shoqëri.
Ata mblidheshin për të kënduar dhe për t’u argëtuar duke ia shtruar me të gjithë të mirat, me sebep dhe pa sebep. Këndonin në dasma dhe fejesa, për të kremtuar ditët e emrit. Këndonin në kodrat e qytetit, te kafeneja e Shetros, tek lokal “Panda” dhe, mbi të gjitha, atje ku e kishte lezetin e saj serenata: nën dritaret dhe ballkonet e vajzave të dashuruara apo bukurosheve korçare të adhuruara.
Kjo traditë e bukur e miqësisë dhe gëzimit kolektiv, e sebepeve dhe piknikëve mbeti një traditë e serenatistëve të të gjitha brezave në vite.
Këngët kushtuar Korçës janë serenata të vërteta dhe të merituara për këtë qytet që jo më kot, atëherë kur kishte lulëzuar serenata u quajt edhe “Paris i Vogël”. Dashuria korçare kalonte sokakëve të qytetit me kitarën e hedhur në sup, duke ronitur xixëllimat e telave të saj të argjendta mbi kalldrëm. Grupi i serenatistëve, i veshur si për ditë të kremte, si dhëndurë me shamiçkën e bardhë në xhepin e vogël të xhaketës këndonte serenatën më të re. Dashuria korçare këndonte himnin e vet të pavdekshëm; Serenatën!
Femrat serenatiste
Emancipimi që solli serenata në jetën e qytetit përfshiu edhe femrat korçare, të cilat nuk qëndruan vetëm duke i dëgjuar këngët e dashurisë pas perdes së dritares, por i krijuan dhe kënduan edhe vetë ato. “Serenata është një qelq ku brenda saj rreh një zemër e kristaltë”, ka thënë e para serenatiste korçare, Spanja Pipa. Spanja, që ishte me fat, sepse vinte nga një familje që e dashuronte muzikën, ishte nga të parat vajza që u ngjit në skenë dhe këndoi serenata para publikut korçar. Vajzat korçare i kanë kënduar serenatat në mjediset e shtëpisë apo edhe në dasma për qejfet e tyre. Gjithashtu i kanë krijuar brenda mureve të shtëpisë dhe po atje i kanë kënduar dhe dashje pa dashje janë bërë pronë e grupeve të serenatistëve të qytetit.
Këngëtare të tjera të serenatës dhe që vazhdojnë ta interpretojnë akoma janë edhe Eli Fara, Lazarela Deti, Mimoza Paraveli, Ermira Kola. Nuk mund të lihet pa përmendur Ermira Babaliu, aktualisht në emigrim në SHBA. Ajo jo vetëm e ka kënduar me shumë pasion serenatën, por është pikërisht kjo këngëtare, që cila në dekadat e fundit të shekullit të kaluar, kur “bilbilat” e serenatës u detyruan të heshtnin, të këndonin nëpër rrugë, që i mbajti të freskëta serenatat me koncertet e saj.
Serenata që kishte qenë për dekada me radhë një stoli e mbrëmjeve korçare, një sonatë hënore, shpallej e ndaluar, se prishte gjumin e qytetarëve, të vajzave që nuk duheshin “shqetësuar” sepse shumë prej tyre punonin në turnet e natës. Serenatat nëpër rrugë dhe oborre ishin bërë të padëshiruara për pushtetin e ri. Bilbilat e serenatës dalëngadalë heshtën, nuk u dëgjuan nëpër rrugët e Korçës këngët e tyre. Serenatat këndoheshin vetëm në mjedise të mbyllura. Serenatistët e atyre viteve kujtojnë se ata që guxonin të dilnin me kitarë rrugës, i merrnin dhe i mbyllnin për një natë në polici.
E vërteta ishte se serenatat i pëlqenin shumë udhëheqës dhe militantë të partisë, sidomos korçarë, por ato i këndonin në rrethe të ngushta. Ky qëndrim i egër e përshpejtoi venitjen e parakohshme të serenatës në Korçë. Tani, kjo gjini muzikore nuk mund të krijohet më si dikur, me gjithë dëshirën e mirë dhe nostalgjinë që kemi për të. Ajo e mbylli ciklin e vet dhe atë mision historik të emancipimit shpirtëror, intim e shoqëror që pati në vitet e kaluara.
Megjithatë, kantautorët e serenatës korçare bëjnë përpjekjet e tyre për rinovimin e saj, duke qenë në kërkim të atij kufiri që do ta mbante formalisht serenatën brenda kërkesave të gjinisë së saj. Por, shkëputja e serenatës nga sfondi i saj tipik, nga “skena” e rrugës po e shpie drejt gjinisë tjetër, këngës lirike që ngjitet në skenë dhe jo nën dritaren apo ballkonin e vajzës. Serenatës tani i mungon ritmi i trokitjeve të një zemre, që rreh e lumtur pas perdes së dritares, duke e ndier veten një perëndeshë, së cilës i kanë rënë në gjunjë dhe i betohen për adhurim të përjetshëm. Redaksia Online (m.z/shqiptarja.com)