Leonardo Bonucci në verën e vitit të kaluar vendosi të nënshkruante dokumentet e divorcit nga klubi i Juventusit, për të firmosur me Milanin.


Largimi i tij nga bardhezinjtë u prit me kritika nga një pjesë e opinionit sportiv, duke qenë se mbrojtësi po braktiste klubin që e ngjiti në maja, për një projekt ende në embrion.


Aktualisht përvoja e 30-vjeçarit me kuqezinjtë nuk ka qenë aspak në nivelin e pritshmërive, teksa shpesh Bonucci është etiketuar edhe si përgjegjës i dështimit të skuadrës.


Italiani që mori menjëherë edhe shiritin e kapitenit tek 7 herë kampionët e Europës, e ka pasur të vështirë të gjejë ritmin e tij të zakonshëm dhe shpesh ka qenë fajtori kryesor për golat e pësuar.


Gjithsesi pavarësisht paraqitjeve dështuese, ofertat nga klube me peshë në Europë nuk kanë munguar në drejtim të Bonuccit. Mediat spanjolle raportojnë për një interesim të Realit të Madridit për mbrojtësin e përfaqësueses italiane.


Më konkretisht portali që është pranë klubit madrilen, El Bernabeu shkruan se drejtuesit e los blancos e shohin Bonuccin si një futbollist që mund të kompletojë repartin e mbrojtjes dhe udhëzimin për afrimin e tij tek skuadra e Zidanes e ka dhënë Sergio Ramos.


Kapiteni i kampionëve të Europës, pavarësisht paraqitjeve jo të mira të italianit, vijon të vlerësojë maksimalisht aftësitë dhe përvojën e mbrojtësit, madje para se të kërkonte transferimin e tij, ka marrë edhe ok e pjesës tjetër të skuadrës.


Largimi i Pepes dhe dëmtimet e Raphael Varane kanë krijuar jo pak probleme në prapavijë për Realin dhe për këtë arsye ka gjasa që negociatat me Milanin të nisin që tani, për tu konkluduar në merkaton e verës.


20 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)