Brazili e ka ndjekur rrugën e Argjentinës, duke e regjistruar barazimin e dytë në Copa America. Ekipi i selektorit Mano Menezes nuk arriti më shumë se një pikë ndaj Paraguait, i cili ishte në avantazh deri në fund. Në duelin tjetër të Grupit B, Venezuela e mposhti Ekuadorin. Gjithçka në këtë grup do të vendoset pas xhiros së tretë.


Nga Express më 10 korrik 2011 në ora 15:30

Brazili nuk di për fitore. Skuadra e selektorit Mano Menezes ka barazuar edhe në ndeshjen e dytë të Grupit B në Copa America ndaj Paraguait, 2:2. Madje, pesë herë kampioni i botës shpëtoi vetëm në minutën e parafundit me anë të golit të zëvendësuesit Fred, pasi që ishte në disavantazh prej 2:1.



Brazilianët nuk treguan lojë cilësore, duke hasur në vështirësi të shumta. Pato e ka lëshuar një rast të qindpërqindtë në pjesën e parë, ndërsa në fund të saj, respektivisht në minutën e 39-të, Jadson nga distanca e befasoi portierin paraguaian, 1:0.



Në pjesën e dytë, brazilianët hasën në një rikthim sensacional të kundërshtarit, i cili shënoi dy herë. Së pari shifrat i barazoi Roque Santa Cruz në minutën e 55-të.



“Është një rezultat i pëlqyer barazimi, por është mëkat që morëm gol në minutën e fundit. Kjo nuk guxon t’i ndodhë një skuadre të madhe si ne, është mëkat. Duhet të përmirësohemi në këtë aspekt. Duhet të përmirësohemi sidomos në aspektin ofanziv, por duhet të zhvillohemi edhe në qarkullimin e topit”, tha sulmuesi i Blackburnit.



Paraguaianët kaluan në epërsi në minutën e 67-të përmes sulmuesit zëvendësues Nelson Valdez, pas një gabimi të Dani Alves. Por, fytyrën e Brazilit e shpëtoi zëvendësuesi Fred, i cili i barazoi shifrat në minutën e 89-të.



“Ka qenë një ndeshje e vështirë, siç është e tërë Copa America. Luajtën dy skuadra kualitative që kishin dëshirë për fitore. Por, mënyra siç shkoi loja sot, barazimi është një rezultat i rëndësishëm për ne. Ndeshja e fundit do të jetë vendimtare. Skuadrat janë të ekuilibruara, por unë kam besim te kjo Seleçao”, tha Fred.



Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Venezuela arriti fitore të madhe ndaj Ekuadorit, duke rrëmbyer tre pikë dhe duke e marrë primatin përpara Brazilit dhe Paraguait. Venezuela fitoi me meritë me golin e Amaiz në minutën e 61-të.



Në turnin e fundit, Brazili do të luajë me Ekuadorin, kurse Venezuela me Paraguain. Gjithçka do të varet nga kjo xhiro.




Copa America


Grupi B

Brazili – Paraguai2:2

Venezuela – Ekuadori1:0



Tabela

1. Venezuela4 pikë

2. Paraguai2

3. Brazili2

4. Ekuadori1