Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se PD do të zbulojë atë që e cilësoi operacion kriminal të dyshes Rama-Meta me serverin e tatimeve. Duke folur me demokratët e Kurbinit, Basha tha se do të kërkohet rikthimi i parimit të konsensusit, ndryshe PD nuk do të njohë asnjë produkt të reformës administrative.



Opozita është e vendosur t’i shkojë deri në fund zbardhjes së plotë të asaj që beson se është vjedhje e 4. 5 milionë të dhënave kofindenciale të bizneseve shqiptare në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim-Taksave. Nga Kurbini, ku mori pjesë në 23 vjetorin e krijimit të PD, Basha tha se operacioni kriminal i dyshes Rama-Meta ka për qëllim zerimin e gjobave ndaj biznesit në këmbim të ryshfetit.

“Sa mund ta luftojë krimin një qeverisje e cila po ndërton nga themelet deri në çati një shtet mafio,. Në mënyrë kriminale, mafioze përfaqësues të dyshes Rama-Meta vodhën serverin bashkë me 4. 5 milionë të dhëna kofindenciale të bizneseve shqiptare. Sot çdo shqiptarë e kupton se të dhënat tatimore janë kthyer në axhendë personale të interesave private të pasurimit dhe të makuterisë mbi bazën e një skemë të mirë organizuar mafioze ku bizneset në këmbim të ryshfetit do të mund të ulin apo zerojnë gjobat dhe detyrimet e tyre tatimore të çimentuar në sistemin elektronik të tatimeve. Kësaj të vërtetet nuk mund t’i iket as me akuza personale dhe as me përbaltje apo goditje ndaj medias së lirë në Shqipëri, Ne e denoncuam këtë në momentin që ndodhi dhe kërkuam Komision Hetimor Parlamentarë, në mënyrë antikushtetuese kjo kërkesë u rrëzua, beteja jonë nuk ka përfunduar, çështja është në Gjykatën Kushtetuese dhe ta dinë mirë se kësaj ngjarje nuk i ndahemi se zbardha e saj është sot një interes madhor i demokracisë shqiptare., se nuk do t’i lejojmë të vjedhin shqiptarëve dhe me paratë që ju vjedhin shqiptarëve të kthehen për të blerë votat e tyre për të blerë vullnetin e tyre dhe për të blerë demokracinë shqiptare”, tha Basha.



Për reformën administrative, kryetari demokrat tha se komisioni vendimi për të cilin u miratua nga mazhoranca është i pavlefshëm pa rivendosjen e plotë të parimit të konsesusit. Opozita tha Basha, nuk do ta njohë kurrë produktin pa konsensus të këtij komisioni.

“Dje pas refuzimit të grupit tonë parlamentar dhe aleatëve tanë për të qenë pjesë e një farse të rrezikshme për demokracinë shqiptare, pati një votim tinëzare nga shumica e kartonëve për të ashtuquajturin komision për reformën territoriale-administrative. Ky komision është i pavlefshëm pa rivendosjen e plotë të parimit të konsesusit siç e kemi bërë të qartë në mënyrë të përsëritur bashkë me aleatët tanë. Dua t’ju bëj me dije edhe partnerëve tanë ndërkombëtare se produkti i një reforme të njëanshme arbitrare nuk mund të njihet e nuk do të njihet kurrë nga Partia Demokratike dhe nga opozita shqiptare”, tha Basha.

Duke folur për procesin e zgjedhjeve të brendshme në Partinë Demokratike Basha theksoi se duke nisur nga dita e hënë, seksionet, grup-seksionet, degët e PD anembanë Shqipërisë, për një muaj me radhë do i nënshtrohen një procesi rigoroz të evidentimit dhe ripërtëritjes së bazës së të dhënave të anëtarësisë së PD, anëtarësimeve të reja. Ai foli për një hapje të madhe, duke e cilësuar më të fuqishmen që PD ka bërë gjatë historisë së saj 23 vjeçare.