Seuli zyrtar dënoi ashpër sulmin verbal të Penianit ndaj presidentes koreano-jugore, të cilën vendi komunist e krahasoi me një prostitutë.



Në komentet e bëra të djelën, Korea e Veriut e quajti kryetaren e shtetit fqinj “një grua shoqërimi”, duke iu referuar skllaveve të seksit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Akuzat vazhdonin duke u rënduar me pretendimin se ajo i shërbente qejfeve të tutorit të vet, presidentit amerikan Barack Obama, i cili vizitoi Seulin javën e kaluar. Gjatë ndalesës së tij, Obama dhe presidentja Park i dërguan Penianit një paralajmërim të fortë për të mos e kryer testin e katërt bërthamor. Paralajmërimi i tyre erdhi pas raportimeve për një ringjallje të aktiviteteve në impiantin bërthamor të Koresë së Veriut. Në një deklaratë, Komiteti për Unifikimin Paqësor të Koresë, me seli në Penian, e cilësonte sonjën Park si një skllave të “tutorit të saj të plotfuqishëm”, duke iu referuar kështu zotit Obama. “Zonja Park është një lajkatare e keqe dhe tradhtare. Një shërbyese e ndyrë e Shteteve të Bashkuara dhe një prostitutë e rëndomtë që shet vendin e saj”, thuhej në deklaratë. Media shtetërore koreano-veriore kanë kryer sulme personale verbale ndaj liderëve të Jugut në shumë raste, por retorika e përdorur ndaj zonjës Park, e para presidente femër, duket se ka kaluar çdo kufi. Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Unifikimit të Seulit, Kim Eui Do i bëri thirrje Penianit që t’i përmbahet një marrëveshjeje të mëhershme për ndalimin e retorikës, duke i cilësuar deklaratat e Penianit si imorale. / Top Channel