Sokol Olldashi, i cili garoi për postin e kryetarit të PD-së, deklaroi gjatë fushatës se, me të në krye, PD-ja do ta mundte Edi Ramën që në zgjedhjet lokale të 2015-ës. Ndërsa Lulzim Basha, kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës dhe kryetar i sapozgjedhur i PD-së, u tregua më i përmbajtur – ai premtoi mundjen e Edi Ramës në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës. Kjo situatë ishte paradoksale për faktin se, siç ilustrohet nga grafiku shoqërues, Olldashi mori në 2007-ën në Bashkinë Tiranë rreth 20 mijë vota më pak se ç’kishte marrë koalicioni i udhëhequr nga Berisha dy vjet më parë, ndërkohë që Basha mori në 2011-ën në Bashkinë Tiranë pothuaj po aq vota të djathta (pra, pa votat e LSI-së) sa ç’kishte marrë dy vjet më parë koalicioni i udhëhequr nga Berisha.
Por ndoshta çfarë mund ta ketë bërë më të kujdesshëm Bashën në premtimin e tij nuk kanë qenë rezultatet e shkuara, por ai i 2013-ës në territorin e Bashkisë Tiranë. Siç shihet në grafik, koalicioni i udhëhequr nga Berisha është rritur me rreth 8 mijë vota nga 2011-ta në këtë territor, ndërkohë që partitë e tjera (PS, LSI, PSD dhe të gjitha partitë e tjera, të majta apo të djathta, jashtë koalicionit të PD-së) janë rritur me mbi 30 mijë vota, duke krijuar një hendek prej rreth 67 mijë votash në kryeqytet. Dhe ky është një hendek shumë i vështirë për t’u kapërcyer brenda dy vjetëve, sado të përpiqet Basha apo cilido tjetër kandidat për Bashkinë Tiranë në 2015-ën.
E vetmja shpresë për PD-në që të rikuperojë terrenin e humbur në kryeqytet do të ishte një frakturë e tretë mes Ramës dhe Metës. Por kjo gjë duket se ka pak gjasa të ndodhë – të paktën në dy vitet e ardhshme. Pas katër vjetësh, të shohim…
Fatkeqësisht për PD-në, një situatë e ngjashme paraqitet edhe në bashki të tjera të mëdha, ku ajo mund të ketë shpresë për fitore, si Shkodra, Kukësi, Lezha, Peshkopia, Durrësi, Elbasani e Kavaja. E vetmja bashki bastion asaj i ka mbetur Kamza, ku epërsia e koalicionit të PD-së mbeti e theksuar edhe në zgjedhjet e fundit. Dhe me një fitore bindëse vetëm në Kamëz, është donkishoteshke të thuash se do ta mundim Edi Ramën në 2015-ën…