Kryetari i Shoqatës së Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë, Aldrin Dalipi dhe Drejtoresha Ekzekutive Blerina Guga, zhvilluan sot, një takim me këshilltarin e Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Enea Hoti.


Gjatë takimit u shkëmbye informacion mbi hapat e mëtejshme që po kryen në kuadër të plotësimit të reformës për qeverisjen vendore në vend.


Mes të tjerash u vlerësua roli aktiv i Shoqatës së Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë në procesin e konsultimit dhe dhënien e mendimeve mbi Projekt-Vendimin e Këshillit të Ministrave lidhur me krijimin e Këshillit Konsultativ për qeverisjen vendore dhe u inkurajua rritja e rolit të SHKQSH në këtë drejtim edhe në të ardhmen.


Hoti mirëpriti bashkëveprimin dhe raportin e krijuar së fundmi nga SHKQSH për të nxitur bashkëpunimin e saj me dy shoqatat e pushtetit vendor, për çështje me interes të përbashkët e sidomos për diskutimin e draft ligjit për financat vendore.


Në këtë drejtim u ra dakord me kërkesën e SHKQSH, për avancimin e përpjekjeve për organizimin e një tryeze pune të tre shoqatave vendore dhe ekspertëve, për të përshpejtuar diskursin dhe zhvillimet e punëve për ligjin e financave vendore.