Kryetarja e Komisionit të Edukimit, Shamku, ka denoncuar skandalin e bllokimit të veprimtarisë shkencore
Të zhbllokohet kërkimi shkencor dhe të nxirren përgjegjësit e situatës. Kështu është shprehur kryetarja e Komisionit të Edukimit dhe Informimit Publik, pranë Asamblesë Kombëtare të PSSH-së, Ledi Shamku, e cila ka shprehur shqetësimin për bllokimin e kërkimit shkencor në të gjitha nivelet. "Sapo u mbyll një vit shumë i vështirë për shkencën akademike shqiptare. Përveç një kaosi të paprecedent që është krijuar së fundmi me Institucionet Kombëtare të Shkencës, ku nuk e merr vesh Kryeministri ministrin, sot e gjithë ditën, pra në janar të 2008-s, kërkimi shkencor vijon të mbetet i bllokuar",- ka theksuar Shamku duke shtuar se denoncojnë skandalin e ndërprerjes së veprimtarisë shkencore pasuniversitare të të gjitha niveleve: Master, Doktoraturë, njehsime titujsh etj.
Ky bllokim, sipas saj, ka nisur qysh në fillim të vitit akademik 2006 dhe gjatë gjithë kësaj kohe, nuk është bërë absolutisht asgjë për të përmirësuar situatën. Ndërkohë Shamku theksoi se askush nuk mund të thotë asgjë për situatën e rënduar, për faktin e thjeshtë se mungon vizioni i qartë politik i asaj çka do të thotë "reformë në shkencë". Sipas saj e ardhmja po improvizohet me pretekstin se MASH-i duhet të rishikojë kurrikulat e të përgatisë aktet nënligjore. Të ndjekësh këtë logjikë, është njëlloj sikur të mbyllësh pa afat gjykatat në Shqipëri derisa të përgatiten akte të reja nënligjore. "Ku e gjen moralin kjo kastë njerëzish, të shohë në sy mijëra të sapodiplomuar apo studiues, familjet e kolegët e tyre, por në radhë të parë sektorët e ekonomisë së vendit që kanë nevojë për këto prurje, e t'iu thotë se "kërkimtaria shkencore po njeh një reformë historike",- pohon Shamku. Ndërsa Ministra e Arsimit, pas deklaratës së Ledi Shamkut, ka reaguar duke thënë se për vitin 2006 dhe 2007, MASH ka miratuar 169 projekte kërkimore-shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, në vlerën 1.6 milionë Euro. Gjithashtu burime zyrtare të MASH-it deklarojnë se për vitin 2007, vetëm në Programet Kombëtare janë miratuar 59 projekte kombëtare dhe vlera e fondit të dhënë kërkuesve shkencorë është 390 mijë Euro. "Ndërsa përsa i përket Programeve Ndërkombëtare, kujtojmë se Marrëveshja dypalëshe Itali-Shqipëri 2008-2010 e nënshkruar nga ministri i Arsimit në 3 dhjetor 2007, mbi kërkimin shkencor, do të sjellë në xhepat e kërkuesve tanë një shumë prej 400 mijë Eurosh",- pohojnë burime zyrtare të MASH-it.