PS-ja nëpërmjet kryetares së Komisionit të Edukimit, Ledi Shamku, ka uruar të gjithë mësuesit shqiptarë për festën e tyre të 7 marsit. Gjatë një komunikimi me mediat, Shamku është shprehur se "7 Marsi është dita që bashkon Shqipërinë me dritën! Mësuesit, ata që prej shekujsh e mbajnë ndezur këtë dritë, meritojnë sot ta dëgjojnë sa mirënjohje mban në zemër ky komb për ta. I faleminderit kujtimit të gjithë atyre mësonjësve që nuk e lanë kombin të humbë identitetin e vet kulturor evropian". Respekti ynë, tha Shamku, u shkon sot sërish atyre mësuesve të moshuar që nuk janë më në detyrë e që rininë e vet ia blatuan pa kursim përparimit breznor të shqiptarëve. "Mirënjohja jonë drejtohet në këtë ditë feste ndaj të gjithë mësuesve të Shqipërisë që i janë bindur pasionit për të qenë mësues, edhe pse politika e mbrapshtë arsimore e këtyre 18 vjetëve ç‘nuk ka bërë që ky pasion të shuhej", është shprehur Shamku. Për PS-në, secili nga mësuesit meriton mirënjohjen e çdo nxënësi që mori prej tyre dritën e arsyes, të gjithë së bashku meritojnë të rifitoni dinjitetin që, po prapë të gjithë së bashku, ne dhe ju, do të nisim ta ringremë me durim pas 28 qershorit.