\"Aplikimi i deformuar i Kartës së Bolonjës po godet perspektivat për mësuesi cilësore në Shqipëri dhe po e shkallmon më tej këtë profesion tashmë në braktisje\". Kështu ka deklaruar dje Kryetarja e Komisionit të Edukimit në Asamblenë Kombëtare, Ledi Shamku. Sipas standardeve të parashkruara nga Karta e Bolonjës, vijoi Shamku, çdo student që pas katër vitesh shkollimi diplomohet mësues, e ka patjetër rrugën hapur të vijojë më tej studimet në shkallët master e doktoraturë.

Por sipas rregullores abuzive që ka hartuar Ministria e Arsimit, u shpreh ajo \"një të sapodiplomuari për mësues i thuhet sot të ndjekë çdo lloj \"specializimi\", me përjashtim të degës ku ka studiuar\". \"Pra karriera e tij profesionale, por edhe ëndrra e të gjithë atyre që duan të bëhen mësues, shuhet se kështu do MASH-i\",- tha Shamku. Ajo gjithashtu, shtoi se \"qysh në prill të vitit të kaluar universitetet i kërkuan në fakt Ministrisë ta zgjidhte nyjen që ngatërroi ajo vetë\". Por, vijoi Shamku, po vjen sërish prilli, pra po mbushet plot një vit dhe ajo çuditërisht vijon ta injorojë problemin. \"E injoron me të njëjtën shpërfillje që dëftoi ndaj problemit të diplomave të trevjeçarit, për të cilin sot studentët ende protestojnë. Shkurt, MASH-i i papërgjegjshëm shpërfill të ardhmen e vendit; dhe e bën këtë duke na parë drejt e në sy kur përpiqet të na bindë mbi sukseset e padëgjuara të qeverisë\",- u shpreh Shamku.  \"Nëse Ministria do vijojë ta injorojë problemin, pas 4 muajsh, brezi i parë i të diplomuarve në mësuesi, do gjendet edhe ai pa rrugëdalje. Ndaj sot, i kërkojmë MASH-it të marrë parasysh kërkesën legjitime të Universiteteve, e të mos mbajë kështu peng aspiratat e brezit të ri\",- theksoi Shamku.





Email This
Klikime: 8