Liverpooli është një rul që shtyp çdo kundërshtar që i del përpara në Premier League. Na javën e 6-të The Reds iu imponuar 3-0 Southamptonit, duke e siguruar fitoren që në pjesën e parë. Hoedt devijoi në portën e tij në minutën e 10-të, pas një harkimi të Xherdan Shaqirit, që me të drejtë festoi sikur të kishte shënuar ai. Në të 21-ën, Matip kërceu bukur me kokë pas një këndoreje, duke i çuar shifrat në 2-0, ndërsa në fund të pjesës së parë Mohamed Salah shtyu mbi vijën fatale topin e përplasur në traversë, pas një ekzekutimi mjeshtëror të goditjes së lirë nga Xherdan Shaqiri. Edhe pse nuk figuron te lista e golashënuesve, dy nga tre golat e Liverpoolit lindën nga këmbët e tij.


Manchester City shktatërroi 0-5 Cardiffin në transfertë, duke e kthyer në stërvitore sfidën me skuadrën uellsiane. Në pjesën e parë shënuan Aguero, Silva dhe Gundogan, ndërsa gjatë 45 minutave të dyta e gjeti dy herë rrjetën për Citizens Mahrez.


Tjetër hap i gabuar i Manchester United në Old Trafford, këtë radhë ndaj Wolves. Goli i realizuar nga Fred që në minutën e 18-të dha përshtypjen se Djajtë e Kuq do të merrnin një fitore të lehtë, por nuk rezultoi kështu. Në pjesën e dytë Wolves barazoi me Moutinhon, duke e mbrojtur deri në fund rezultatin, për të ikur me një pikë nga Old Trafford. Në takimet e tjera Bunrley shkatërroi 4-0 Bournemouthin, Crystal Palace Newscatle përfundoi 0-0 dhe Leicester-Huddersfield 3-1.


22 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)