Shehu

Kandidati për kryebashkiak i Dibrës, Sherefedin Shehu zhvilloi një takim me gratë dibrane. Shehu ka vlerësuar sakrificën e grave dibrane për të përballuar situatën e rëndë ekonomike dhe papunësinë e lartë në këtë bashki

"Bashkia të marrë të gjitha masat që buka, uji dhe furnizimi me energji elektrike të mos mungojë"

Kandidati për kryebashkiak i Dibrës, Sherefedin Shehu zhvilloi një takim me gratë dibrane. Zoti Shehu ka vlerësuar sakrificën e grave dibrane për të përballuar situatën e rëndë ekonomike dhe papunësinë e lartë në këtë bashki. Punësimi dhe mbështetja e grave sipërmarrëse do të jenë në qendër të punës së Sherefedin Shehu nesër si kryebashkiak i Dibrës. Zoti Shehu tha se pjesa më e madhe e administratës së drejtuar prej tij do të jenë gra."Bashkia ka disa mundësi dhe ato mundësi do të shfrytëzohen maksimalisht që ju të keni një mundësi punësimi. Do të nxisim sipërmarrjen, atë që mund të bëjnë gratë këtu edhe administrata e bashkisë do të dominohet nga gratë dhe nga vajzat". Duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek familjet në nevojë ekstreme, zoti Shehu tha se Bashkia do të marrë të gjitha masat që të paktën buka, uji dhe furnizimi minimal me energji elektrike të mos mungojë. "Në Peshkopi pushtetarët luajnë, bëjnë presion edhe me asistencën sociale. Ata që nuk kanë asnjë mundësi jetese do të marrin jo vetëm ndihmë që iu takon sipas ligjit, jo vetëm më shumë sesa ata që kanë një burim të vogël të ardhurash por bashkia nesër do të garantojë edhe faturat e energjisë elektrike për familjet që janë në nevojë ekstreme, që nuk kanë asnjë mundësi ose që janë edhe pa dritën elektrike sot për shkak se nuk mund të paguajnë faturën", tha Shehu.

KQZ merr në dorëzim materialet zgjedhore, niset sot drejt Dibrës/ KQZ-ja njoftoi ditën e djeshme se fletët e votimit që do të përdoren për zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë Dibër kanë mbërritur nga prodhuesi slloven në datën 6.09.2016 në Magazinat e Lindrës, brenda afateve kohore. Fletët e votimit u prodhuan nga kompania sllovene "Cetis" me të gjithë elementët e sigurisë dhe janë depozituar në Lundër sipas të gjitha procedurave ligjore.

Dje u përmbyll përgatitja e bazës materiale zgjedhore, dhe sot do të vijohet me dërgimin e tyre në KZAZ-në 19, Dibër, e cila më pas do ta shpërndajë çdo Qendër Votimi. Ndërkohë, po dje nisën edhe sesionet e trajnimit për Komisionarët e Qendrave të Votimit në bashkinë e Peshkopisë. Sipas informacioneve nga Administrata e KQZ-së e cila ndodhet në Dibër dhe do të trajnojë komisionarët, rezulton se në katër vende trajnimi, Shkolla "Nazmi Rushiti", në Peshkopi, Shkolla 9-vjeçare në Maqellarë, Shkolla 9-vjeçare në Qendër Tomin, Shkolla 9-vejçare në Sohodoll, nuk është paraqitur asnjë komisionar i Qendrave të Votimit për t'u trajnuar. KQZ e përsërit apelin ndaj partive politike që të marrin masa dhe të dërgojnë komisionarët e propozuar prej tyre, në sesionet e trajnimit, pasi trajnimi i tyre është shumë i rëndësishëm për mirë administrimin e procesit zgjedhor.