kanabisShekulli vazhdon të lobojë për legalizimin e kanabisit.


Sot kjo gazetë merr si shembull Maqedoninë, që po na merr jo vetëm investimet, por edhe kanabisin.


Në dhjetor 2015 raportohej se investimet e huaja të drejtpërdrejta në vend nga viti 2007 arritën shumën prej 2,3 miliardë euro, 4 herë më shumë në krahasim me periudhën nga viti 2003 deri në vitin 2006, kryesisht investime në fabrika, në industrinë automobilistike që krijojnë edhe shumë vende pune dhe eksport. Vetëm në tre fabrika teknologjie ku prodhohen pjesë automjetesh, që vendosen në modelet e makinave Bentli, Porshe apo BMË do të punësohen 2.150 njerëz.


Në mesin e janarit 2016 prodhuesi i makinave luksoze, Aston Martin deklaroi se po konsideron Maqedoninë, si një nga vendet më të mundshme për të ndërtuar fabrikën e tij të re, shkruan kryeredaktori i gazetës, Arben Rrozhani.


Gjatë vitit të shkuar, Maqedonia arriti të debatojë dhe tani ta legalizojë kanabisin për qëllime mjekësore. Tre muaj më parë, Shkupi ishte në qendër të debatit publik për miratimin e ligjit për legalizimin e përdorimit të prodhimeve nga kanabisi për qëllime mjekësore, të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë. Ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, theksonte se synohet që të ndihmohen pacientët të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda të kancerit, për të cilat sëmundje veçanërisht vaji nga kanabisi sjell efekte pozitive gjatë kurimit. Tre ditë më parë, ligji i propozuar nga Ministrisë së Shëndetësisë e kaloi dëgjimin e parë. Kështu Maqedonia po u bashkohet 13 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe 33 shtete amerikane, që e kanë legalizuar përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore.


Shqipëria, edhe këtu, është në bisht, edhe pse i ka patur të gjitha mundësitë që të ishte lidere në rajon dhe më gjerë. Për më keq, këtu nuk po pranohet as që të debatohet. Propozimi i deputetit Koço Kokëdhima për të legalizuar përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore, kthimin e ekonomisë së kanabisit, nga një ekonomi kriminale në një ekonomi kombëtare të kontrolluar nga shteti dhe ku përfitues është buxheti i shtetit dhe prodhuesit e licensuar shqiptarë, ka mbetur në ajër. Qeveria shqiptare, përkatësisht kryeministri Rama, thotë se nuk është kundër, por e sheh si nismë të parakohshme. Ajo ka zgjedhur më mirë që të luftojë gati gjithë vitin me prodhuesit apo trafikantët, duke harxhuar burime kolosale monetare dhe njerëzore, se sa të ulet dhe të diskutojë me grupet e interesit, se sa mundësi ka që kjo bimë të kthehet në ekonomi kombëtare, nga ku të përfitojnë të gjithë. Dhe këtë e bën edhe pse e di se kjo luftë është e humbur jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë duke humbur tregjet konsumatore. Me këtë indiferencë vrasëse dhe pa logjikë ekonomike, Shqipëria po humbet një aset të çmuar ekonomik, i cili duam, sduam ne, është ndoshta më fitimprurësi, se sa ato investime të huaja direkte që nuk vijnë këtu, se nuk duan të merren me burokratët e korruptuar dhe ndaj zgjedhin Maqedoninë. Dhe do të zgjedhin Maqedoninë edhe për kanabisin, duke na lënë ne në vendin që se meritojmë, në bisht, shkruan ai.