Autori i Lajmit: red.
Për më shumë se katër orë, shtatë minatorë në minierën e Bulqizës kanë mbetur të izoluar në galeri duke iu rrezikuar kështu dhe jeta. Ata kanë arritur të dalin vetëm pasi është liruar hyrja e galerisë së minierës së Bulqizës. Të dhënat e para tregojnë se shembja mund të ketë ndodhur për shkak të gërmimeve që po kryente një firmë e palicencuar. Sipas policies, mësohet se 7 minatorët e firmës “Egi-K” ishin bllokuar që në orën 09.00 të mëngjesit të djeshëm, kur hyrja e galerisë ishte shembur. Të dhënat e para tregojnë se shembja kishte ndodhur për shkak të gërmimeve që firma "Vajkal 2007" po kryente në këtë minierë. Vetëm pas katër orësh, konkretisht rreth orës 13 e 16 minuta është arritur të lirohet hyrja e galerisë dhe minatorët të dalin jashtë shëndoshë e mirë. Mësohet se firma "Vajkal 2007" ishte e palicencuar. Sipas policies, dy firmat ishin në konflikt me njëra-tjetrën. Policia bën të ditur edhe emrat e minatorëve që mbetën të bllokuar për 4 orë në galerinë e minierës së Bulqizës. Ata janë Fadil Capa, Behar Lika, Gazmend Tyci, Shaqir Skënderi, Bashkim Nurçe dhe Rexhep Gjura. Ndërkohë vetëm pak kohë më parë, Shoqata e Minatorëve protestonte përpara godinës së Kryeministrisë, sepse 5 minatorë të minierës së Bulqizës u pushuan nga puna. Minatorët e minierës së kromit në Bulqizë janë pezulluar nga puna, pasi drejtuesit nuk i lanë të fillonin turnin e parë. Shkak i këtij vendimi të drejtuesve të minierës ka qenë protesta që zhvilluan minatorët për shkak të rrogës së 13-të, të cilën drejtuesit nuk po ua jepnin. Drejtues të minierës së kromit në Bulqizë u kanë komunikuar pezullimin nga puna minatorëve Agim Perkoxha, Baki Bajraktari, Raid Çeliku, Shkëlqim Disha, Petrit Çupi.



Ky lajm është publikuar: 24/12/2008