INUK-u dhe forcat xheniere rrafshojnë godinën pas tri tentativave të dështuara


triitol pallat 4_1

tritol pallat 2_1

tritol pallat_1

tritol pallat3_1


Një godinë pesëkatëshe në Rrugën e Elbasanit në Tiranë është shembur dje pasdite me tritol, për shkak se ishte ndërtuar pa leje, ndërsa pronari i saj ishte proceduar penalisht për ndërtim të paligjshëm. Megjithatë, aksioni i INUK-ut dhe forcave xheniere, nuk ka shkuar sipas parashikimit, për shkak të defekteve të shumta teknike.


Aksioni për prishjen e këtij ndërtimi ka nisur prej disa ditësh, ku forcat e policisë kanë rrethuar zonën, ndërsa xhenierët filluan punën për vendosjen e tritolit në të gjithë objektin. Dje në mëngjes, rreth orës 09:30, efektivë të shumtë të INUK-ut, por edhe xhenierë, kanë shkuar në këtë objekt pa leje dhe filluan vendosjen e sasisë së tritolit. Për shumë orë me radhë, situata ka qenë e tensionuar, për shkak se pronarët e kishin kundërshtuar këtë operacion, duke pretenduar se godina ishte në proces legalizimi. Por, disa shkresa të INUK-ut, kanë rezultuar se procesi nuk ishte marrë në konsideratë, dhe godina është konsideruar ndërtim i paligjshëm.


Ekspertët e INUK-ut kanë diskutuar dy mundësi për prishjen e kësaj godine, me mjete të rënda dhe me tritol, duke qenë se afër këtij objekti, kishte edhe godina të tjera. Por pas raportit të xhenierëve u vendos prishja me tritol.


Ekspertët parashikuan që shpërthimi do të realizohej në orën 15:00. Thirrjes zjarr nga një prej drejtuesve të këtij operacioni, nuk i është bindur tritoli, duke mos shpërthyer. Më pas, specialistët xhenierë rregulluan këtë mekanizëm dhe e shtynë me disa minuta shpërthimin. Por, edhe thirrja e dytë dhe e tretë zjarr kanë dështuar. Mësohet se problemi ishte te detonatorët, të cilët u zëvendësuan. Thirrja e katërt zjarr ka sjellë më pas një shpërthim të fuqishëm, zhurma e të cilit u dëgjua në të gjithë Tiranën. Godina u rrafshua plotësisht në orën 15:40, ndërsa reja e tymit u largua nga vendi i ngjarjes pas disa minutash. Rezultati ishte i kënaqshëm, me gjithë defektet teknike, pasi godina u shemb plotësisht, ndryshe nga disa shpërthime të kontrolluara më parë, si ai në afërsi të Fakultetit Ekonomik, por edhe shpërthimet në qytetin e Vlorës.


Tashmë, punonjësit e INUK-ut do të pastrojnë zonën nga inertet, ndërsa ky proces do të zgjasë disa ditë. Sipas INUK-ut, prishja e kësaj godine ndodhi për shkak se Agjencia e Legalizimeve nuk kishte pranuar të fuste këtë objekt në proces. Mësohet se pesëkatëshi ka nisur të ndërtohet në muajin shtator të vitit të kaluar. Ndërkohë, INUK-u thotë se do të vijojë aksionet për prishjen e ndërtimeve të paligjshme në të gjithë vendin, në përmbushje të angazhimit të qeverisë për zbatimin me vendosmëri të ligjit për çlirimin e hapësirave urbane dhe zhvillim të qëndrueshëm të territorit. s.ç.


Ky shkrim Shembet me tritol godina pesëkatëshe në Tiranë u publikua me pare te Gazeta SHQIP.