Korçë






Nxënësit në panik kanë braktisur klasën, duke lëshuar britma të shumta madje edhe lot. Hije skandali mbi tenderin e rikonstruksionit të shkollës





Irena Vreto


KORçë - Skandalet e tenderëve kthehen në prag tragjedie në juglindje. Shembet tavani i shkollës 9-vjeçare, ku 35 nxënës përjetuan tmerr, ndërsa policia nis hetimet për ngjarjen. Duket se nuk mbaron me kaq, pasi kërcënohen frikshëm nga shembja dhe më shumë se 150 nxënës të tjerë që mësojnë në katin e tretë të kësaj shkolle. Cilësitë e dobëta të punimeve të kryera disa vjet më parë, por edhe lagështia e madhe e akumuluar gjatë kësaj stine me reshje të pazakonta, kanë provokuar shembjen, e cila ka dëmtuar mësuesen e letërsisë.


Një tender i zhvilluar në rrethana që nuk bëhen të ditura dhe punime jashtë të gjitha parametrave të ndërtimit kanë sjellë probleme serioze që për pak i kanë kushtuar me jetën një klase bashkë me mësuesen e tyre. Duke iu referuar të dhënave nga vendi i ngjarjes, mësohet se shembja ka ndodhur mesditën e të enjtes gjatë kohës që klasa e 8-të A ishte duke zhvilluar lëndën e gjuhës amtare. Mësuesja Nadia Kondili ishte duke shpjeguar mësimin, ndërsa një zhurmë e fortë është shoqëruar me shembjen e pjesshme të tavanit. Në mënyrë instiktive, nxënësit kanë braktisur klasën, duke lëshuar britma të shumta, madje dhe lot, ndërsa nuk i ka shpëtuar disa dëmtimeve në trup mësuesja e tyre, e cila ndodhej shumë pranë pjesës së rrëzuar. Paniku ka përfshirë klasën, madje krejt shkollën 9-vjeçare “Naum Veqilharxhi”, e cila ndodhet në afërsi të vendit të quajtur “Trekëndëshi” në qytetin juglindor. Klasa që ka përjetuar dhe momentet e frikshme ka pezulluar krejt procesin mësimor, ndërsa drejtuesit e shkollës kanë njoftuar me urgjencë drejtuesit e Drejtorisë Arsimore në qytetin e Korçës. Ky institucion ka dërguar një grup të posaçëm specialistësh, të cilët pas verifikimeve në terren kanë nisur ndërhyrjen për të riparuar dëmin. Vetëm disa vjet më parë shkolla “Naum Veqilharxhi” i është nënshtruar ndërtimit të çatisë së re, ndërkohë që një firmë nga qyteti i Korçës ka kryer punime jashtë të gjitha parametrave teknikë. Punimet janë marrë në dorëzim, pavarësisht problemeve të dukshme të tyre, të cilat mund të shoqërohen me të tjera shembje. Tavani tashmë është harkuar dhe në më shumë se 10 klasa që ndodhen në katin e tretë të shkollës në fjalë, ndërsa janë afro 150 nxënës të tjerë që kërcënohen deri me jetën nga një ngjarje tjetër me përmasa ndoshta edhe më të mëdha. Për fat të mirë, shembja e tavanit nuk ka shkarkuar plagosje të 35 nxënësve të klasës, me përjashtim të disa dëmtimeve të lehta të mësueses së tyre, Nadia Kondili. Drejtuesit e shkollës pas kësaj ngjarjeje kanë zhvendosur klasën ku ka ndodhur shembja në një tjetër ambient, ndërkohë që mësuesja që ka marrë dëmtime të lehta, ka shkuar në shtëpi pas ndodhisë. Frika ka përfshirë të 450 nxënësit e kësaj shkolle të rëndësishme 9-vjeçare në qytetin juglindor, ndërsa reshjet e shumta të shiut dhe të borës duket se kanë qenë shkaktaret e gjendjes, duke i shtuar kësaj, para së gjithash, cilësinë e dobët të punimeve të çatisë dhe tavanit.





Durrës



Pinë helm,


vdesin dy gra


të moshuara



Durrës - Kanë vdekur në duart e mjekëve të repartit të intoksikacioneve në Spitalin Ushtarak dy gra të moshës 56 vjeçe 60 vjeçe. Njëra nga viktimat thuhet se ka qenë e njohur si e sëmurë me probleme të humbjes së ekuilibrit mendor, ndërsa për viktimën e dytë kanë nisur hetimet. Ngjarjet kanë ndodhur thuajse njëra pas tjetrës me fare pak kohë në mes. E para ka mbërritur ne urgjencë në Spitalin Ushtarak shtetasja me inicialet D. G., 56 vjeçe nga Shijaku i Durrësit. Gruaja e helmuar me fostoksinë është dërguar në Spitalin Ushtarak aty rreth orës 6 të mëngjesit, ndërsa mjekët kanë konstatuar se ajo kishte pirë helmin disa orë më parë. Sipas policisë, e cila i referohet dëshmive të familjarëve, shtetasja D. G. kishte më shumë se 12 vite që pinte antidepresivë dhe se kishte shfaqur probleme serioze lidhur me depresion nervor. 56-vjeçarja është shoqëruar nga familjarë, të cilët kanë dhënë dëshmitë e tyre para oficerëve të policisë gjyqësore. Nga ana tjetër, është bërë edhe kontrolli fizik i gruas së vdekur nga ekspertët e antikrimit, të cilët nuk kanë gjetur shenja dhune. Policia e Durrësit ka bërë të ditur se po dje në Spitalin Ushtarak ka vdekur edhe një tjetër grua. Shtetasja me inicialet S. G., 60 vjeçe, nga Sukthi, është dërguar rreth orës 11 të paradites në Spitalin Ushtarak të Tiranës dhe ka vdekur 20 minuta më pas. Edhe kjo grua thuhet se ka pirë fostoksinë, helm vdekjeprurës dhe me efekt shumë të fortë e të menjëhershëm. Nuk dihen rrethanat që e kanë shtyrë këtë grua të vetëhelmohet, por dyshohet se shkak është bërë gjendja ekonomike dhe kriza në familjen e saj.


A. K.





Kukës



Ndotet uji i pijshëm. Shëndeti Publik:


Nuk ka rrezik për jetën e banorëve




ujësjellësi



Në qytetin e Kukësi rastet e ndotjes së ujit të pijshëm nga ana bakteriologjike janë shtuar së tepërmi kohëve të fundit. Shkak për këtë është bërë rrjeti i amortizuar i ujësjellësit, i cili daton në vitet 1970 dhe që nga ajo kohë nuk është bërë rikonstruksioni i tij




Kukës - Reshjet e dendura të shiut, të cilat prej më shumë se 24 orëve kanë rënë në të gjithë Rrethin e Kukësit, kanë sjellë pasoja të rënda te popullata e qytetit, si dhe e 14 fshatrave. Uji i pijshëm është ndotur dhe banorët janë detyruar të mbushin ujë nëpër çezma, të cilat nuk kanë fare lidhje me burimin kryesor. Shëndeti Publik ndërkohë thotë, se analizimi i kampionëve nuk tregon ndotje bakteriologjike.


Gjatë 24 orëve të fundit të gjithë banorët e Rrethit të Kukësit janë detyruar që të blejnë ujë të ambalazhuar apo të furnizohen nëpërmjet burimeve të tjera, pasi uji që vjen në çezmat e tyre rezulton të jetë i ndotur. Shkak për këtë është bërë rënia me një intensitet të lartë e reshjeve të shiut, të cilat kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë te dy burimet kryesore atë të Kolesianit dhe të Lojmes, të cilat furnizojnë me ujë të pijshëm qytetin e Kukësit, si dhe 14 fshatrat rreth tij. Sipas banorëve, kjo situatë është shfaqur që gjatë së mërkurës, por këtë të enjte ajo është vështirësuar akoma më tej, pasi uji ka qenë totalisht i papërdorshëm, për vetë faktin se mban erë, si dhe ngjyrë e cila tregon se konsumimi i tij mund të sjellë ndonjë pasojë. “Dje, kur u zgjova në mëngjes, pashë se uji në çezmën e kuzhinës sime rridhte i turbullt. Si fillim thashë se po rregullohet, por kanë kaluar 24 orë dhe ne ende nuk e konsumojmë dot, pasi kemi frikë se është i ndotur e mund të ndikojë në shëndetin e fëmijëve, por edhe të gjithë njerëzve në tërësi”, thotë kështu një banor, i cili jeton në një pallat të lagjes nr. 2 të qytetit të Kukësit. Këtë fakt e kanë pohuar edhe banorë të lagjeve të tjera apo fshatrave të cilët furnizohen me ujë të pijshëm nëpërmjet dy burimeve që ka i gjithë Rrethi i Kukësit, ai i Kolesianit dhe Lojmes. Banorët e fshatrave e kanë pasur më të lehtë, sepse kanë mundur të shfrytëzojnë burimet e hapura prej kohësh, ndërsa ata të qytetit kanë blerë bidonë plastikë për të përmbushur kërkesat e tyre jetike për ujë të pijshëm. Kjo situatë ka alarmuar specialistët e Shëndetit Publik të Kukësit, të cilët menjëherë kanë nisur marrjen e kampionëve në çdo pikë të qytetit, për të parë nëse uji ka ndotje bakteriologjike apo ndotje nga reshjet e shiut. Sipas mjekes laburante, Gjyle Cahani, deri tani janë analizuar më shumë se 20 mostra, por laboratori ka treguar se uji nuk ka ndotje bakteriologjike, por ka ndotje të një natyre tjetër. Sipas drejtorit të Shëndetit Publik, Gazmend Doda, uji është totalisht i konsumueshëm dhe nuk përbën rrezik për popullatën. “Kemi analizuar rreth 20 kampionë të ujit të pijshëm, të cilët i kemi marrë nëpër të gjitha pikat e qytetit dhe të fshatrave menjëherë pas konstatimit të fenomenit. Pasi i kemi futur në laborator, ka rezultuar se uji është i ndotur por jo nga ana bakteriologjike. Kjo do të thotë se ai është i pijshëm dhe popullata nuk duhet të përfshihet nga paniku”, vijon më pas Doda, duke siguruar banorët e Kukësit, por dhe zonat rreth tij, se ky ujë mund të përdoret pa problem. Specialistët thonë se turbullimi i ujit gjatë ditës së djeshme ka ardhur edhe për shkak të shkrirjes së dëborës deri në lartësinë 1100 m mbi nivelin e detit, të paktën këto ditë kur temperatura varion nga 6 deri në 11 gradë celsius.


Në qytetin e Kukësi rastet e ndotjes së ujit të pijshëm nga ana bakteriologjike janë shtuar së tepërmi kohët e fundit. Shkak për këtë është bërë rrjeti i amortizuar i ujësjellësit, i cili daton në vitet 1970 dhe që nga ajo kohë nuk është bërë rikonstruksioni i tij. Kur qytetarët ankohen për ujin e ndotur që mbërrin në çezmat e tyre, Ndërmarrja e Ujësjellësit në bashkëpunim dhe me Bashkinë Kukës kanë bërë riparime të vogla, pasi Kukësi pritet të ketë një ujësjellës të ri, punimet e të cilit do të nisin këtë pranverë.


Flutura Tota