Autoritetet zvicerane e kanë ekstraduar në orët e pasdites Shemsi Nuhiun në Serbi. Sipas familjarëve të Shemsiut, ai tashmë i është dorëzuar autoriteteve të Serbisë në Beograd.

Lajmin e ka konfirmuar për albinfo.ch vëllai i Shemsiut, Sherifi. Ai thotë se sot pasdite e ka marrë lajmin se vëllai i tij është ekstraduar nga burgu i Llozanës për në Serbi. Aeroplani i Shemsiut, sipas tij ka mbërritur në Beograd në ora 21.

"Për ekstradimin e sotëm nuk ka qenë i informuar as avokati zviceran i Shemsi Nuhiut. Kur ky i fundit ka kërkuar të takohet sot me të, i është thënë se ai nuk gjendet më në burgun e Lozanës", ka deklaruar Sherif Nuhiu. Me Shemsiun ka qenë e pamundur të kontaktojnë edhe familjarët e tij. Por, ata kanë angazhuar një avokat për Shemsiun në Serbi. Shemsiu akuzohet nga autoritetet e Beogradit në të ashtuquajturin 'Grupi i Gjilanit’.

Departamenti Federal i Drejtësisë dhe Policisë ka konfirmuar ditë më parë për plotfuqishmërinë e vendimit për ekstradim në Serbi të Shemsi Nuhiut, raporton Albino.ch..

Vendimi për ekstradimin përfundimtar erdhi pasi Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka hedhur poshtë ankesën e Shemsi Nuhiut, shtetas i Kosovës dhe i Serbisë, për mos ekstradim. Ankesën e njëjtë e kishte refuzuar ditë më parë edhe Gjykata Federale e Zvicrës.