Pas përballimit “me sukses” të tragjedisë së Tuluzës, presidenti francez, njëkohësisht edhe kandidat për një mandat të dytë, Nikolas Sarkozy, iu rikthye fushatës elektorale.



Njëkohësisht me rinisjen e fushatës, janë rikthyer edhe “kërcënimet” e presidentit francez ndaj Bashkimi Europian përsa i përket sistemit të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, që njihet ndryshe “Shengen”.

Gjatë një tubimi elektoral në qytetin e Ruilit, Sarkozy ka ripërsëritur kërkesën e tij ndaj Brukselit dhe vendeve anëtare të “Shengenit” për rishikimin e marrëveshjes, duke krijuar një autoritet kontrollues mbarëeuropian.

“Nëse brenda një viti, Europa nuk vendos për rishikimin e politikave të saj përsa i përket marrëveshjes Shengen, Franca do të dalë nga kjo marrëveshje”, ky ishte zotimi i Sarkozy para mbështetësve të tij.

Por jo vetëm Sarkozy është për rishikimin e rregullave të qarkullimit. Ka zëra që thonë se edhe kancelarja gjermane Angela Merkel ndan të njëjtin mendim, pavarësisht se ende nuk e ka shprehur publikisht atë.

Kërkesa për rishikimin e "Shengen" u hodh si propozim nga Sarkozy disa ditë më parë në një tjetër takim elektoral. Në atë kohë, mediat e komentuan këtë deklaratë si joserioze dhe të pabazë, synimi i së cilës ishte thjesht tërheqja e sa më shumë votave nga e djathta ekstreme. Por ripërsëritja e këtij qendrimi, përforcon mundësinë se dalja e Francës nga "Shengen" mund të shndërrohet në realitet, të paktën nëse Sarkozy rimandatohet president.