Shenjimi i kufirit të Kosovës me vendet përreth përfshirë Malin e Zi, përbën një proces për të cilin të gjitha forcat politike as që e vënë në mëdyshje. Sidomos për shtetin e ri, të dalë me luftë qysh prej 18 vitesh, kjo është domosdoshmëri e ngutshme. Në fund të fundit populli duhet t'i ketë të përcaktuara ndërkombëtarisht caqet e pronës - territorin e republikës së vet. Kjo përpjekje e ndërmarrë nga të dy qeveritë përmes marrëveshjes,ka nisur prej kohësh, por ende nuk ka përfunduar: qysh prej një viti e ca, Kosova gjendet e përfshirë në luftë politike të ashpër, sepse shumica qeverisëse kundërshtohet fuqishëm nga opozita. Të dy palët janë në mospajtim të plotë rreth Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi. Mospajtimi nuk është vetëm për çështje emërvendesh në kufirin ndarës që duhet të shenjohet, por skajshmërisht të kundërta janë qëndrimet mbi numrat. Qeveria e dy partive kryesore në koalicion ka deklaruar pafundësisht që,nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje Kosova nuk humbet asnjë milimetër tokë dhe Malit të Zi nuk i shtohet asnjë milimetër në territor: e shprehur numerikisht do të thotë 0 metër katror. Ndërsa opozita këmbëngul se Kosovës i bëhet një tradhti kombëtare sepse,sipas marrëveshjes së përgatitur, Malit të Zi i falen 8000 hektarë tokë, sipërfaqe që disa herë shprehet në 8.2 kilometra katrorë. Kjo nyje e lidhur fort është në këtë gjendje: parlamenti i Malit të Zi e ka ratifikuar marrëveshjen, atje nuk është vërejtur asnjë protestë nga opozita, as para dhe as pas miratimit, madje kryeministri Milo Gjukanoviç ka thënë se Mali iZi i ka kryer të gjitha veprimet e duhura dhe se nuk ka kurrfarë mospajtimi me autoritetet e Kosovës për vijën kufitare; qeveria e Kosovës e ka gati marrëveshjen dhe mbështetet fuqishisht nga faktori ndërkombëtar, madje Bashkimi Europian e kushtëzoi ratifikimin e saj me heqjen e vizave; kurse opozita nuk tërhiqet nga argumentet dhe kundërshtimi i vet deri i dhunshëm, duke përdorur foltoren e kuvendit, sheshet dhe rrugët, protestat e shumta dhe bombolat me gazlotsjellës.

Shteti i Kosovës është i vogël në territor, po ashtu dhe me popullsinë e tij. Kufiri me Malin e Zi nuk është një vijë kufitare e pafund ruse, kanadeze, amerikane apo kineze. Atë vijë kufitare të shkurtër e përshkojnë më këmbë pa u lodhur edhe barinjtë e atyre anëve duke u çapitur pas tufave të dhenve e dhive. Por mospërputhja e plotë mes dypalëve dhe lufta politike e egër ndërmjet tyre - njëra thotë se Kosova nuk jep asnjë milimetër territor, tjera këmbëngul se Malit të Zi i falen 8.2 kilometra katrorë, pra njëra palë mbron numrin 0 milimetër tokë dhe pala tjetër numrin 8000 ha sipërfaqe - i ka vënë me kohë dhe po i mbajnë nën mjergull të dendur njerëzit. Ata nuk dinë të thonë se cila është e vërteta e Demarkacionit: 0 milimetër a 8000 hektarë, 8000 hektarë a 0 milimetër?! Ata nuk marrin përgjigje të besueshme duke ua përsëritur se "Kosova nuk humbet asnjë milimetër tokë". Transparenca e plotë ka qenë e domosdoshme që në nisje, sepse vija kufitare nuk është si një ligj i miratuar nga 80 deputetë në kuvend, i cili edhe shfuqizohet dikur nga jeta, apo ndryshohet më vonë për t'iu përgjigjur me mirë rrethanave të tjera. Vijat kufitare nuk janë as të shumicës as të pakicës,as të qeverive dhe as të opozitave, vetëm populli dhe territori përbëjnë dy elementët bazë të çdo shteti. Vijat kufitare, pasi përcaktohen e vendosen me marrëveshje, nuk lëvizen më, ose edhe nëse janë ndryshuar, kjo ka ndodhur përgjithësisht me luftë apo me forcë, siç qe aneksimi i gadishullit të Krimesë nga Rusia. Pikërisht për këtë, nuk është kurrë e mjaftueshme përpjekja për transparencë të plotë dhe gjithëpërfshirja në miratimin e marrëveshjes për shenjimin e kufirit. Përshembull,në konfliktin politik të përhershëm dhe skajshmërisht të ashpër në Shqipëri, edhe sot e kësaj dite i përmendet ShënNaumi Mbretit Zog. Vetëm gjithëpërfshirja ose konsensusi janë mënyra që nuk e lënë litrarin jashtë varrit për sherre të mëvonshme dhe nëpër vite. Por në Kosovë, përshkak të mungesës së sjelljes së palëve në konsensus, në vend të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është shenjuar demarkacioni i përçarjes së hatashme ndërveti, mes forcave politike në pushtet dhe atyre në opozitë, një hon ndarës rreth çështjes edhe mes njerëzve të thjeshtë, që lakohet në çdo qytet e fshat, duke ndikuar për keq edhe për zgjidhje të tjera të rëndësishme.Vija kufitare mbi kreshtat e maleve dhe livadhve ndërmjet dy vendeve, ka zbritur e zënë vend mes njerëzve, forcave politike, madje dhe me skena dhune. Ndoshta kjo i ka dhënë argument kryeministrit malazez Milo Gjukanoviç i cili, sipas agjencisë Beta, tha në Ulqin se për shenjimin e kufirit "Problemi është i brendshëm dhe i përket politikës së brendshme të Kosovës". Një ditë më pas, kryeministri Isa Mustafa bëri me dije për mediat se i ka ftuar forcat e opozitës (AAK, Nisma, Vetëvendosja) si dhe Listën Serbe, për të biseduar rreth marrëveshjes përpara se të shqyrtohet në kuvend.

Tejkalimi i mospajtimit të thellë sa një humnerë, përmes transparencës dhe provave bindëse, se duke shenjuar kufirin sipas marrëveshjes Kosova nuk humbet nga territori i saj asnjë milimetër, apo sipas opozitës ajo humbet 8000 ha territor, është domosdoshmëri e një rëndësie aq të madhe sa, kjo do t'i shërbente më vonë, kur të vijë koha e duhur,edhe përcaktimit të vijës kufitare me Serbinë, që do të jetë diçka më e vështirë për të dy vendet. Një marrëveshje për kufirin, që nuk i lë në konflikt dy shtete fqinjë, pa dyshim është e duhura, por nëse kjo marrëveshje bëhet shkatërruese e marrëdhënieve të brendshme, duke i ndarë e përçarë njerëzit e shtetit të vet, pa asnjë mëdyshje ajo do të gjykohet historikisht e keqe. Shembulli më i freskët gjendet në Shqipëri: reforma në drejtësi ishte një betejë e gjatë, e ashpër, përplasëse mes pozitës dhe opozitës, por arritja e konsesusit, sidoqoftë më në fund ndodhi. Kurse konsensusi mbi të vërtetën e vijës së kufirit Kosovë - Mali iZi është edhe më i rëndësishëm se sa disa ndryshime kushtetuese. Shtetit të ri nuk i duhet paqë me Malin e Zi dhe luftë ndërveti. Demarkacioni mes palëve politike dhe njerëzve të thjeshtë brenda në Kosovës do të ishte më i dhimbshëm dhe më i gjatë ndër vite nëse qeveria do ta ratifikonte demarkacionin e kufirit me Malin e Zi me votat e Listës Serbe.