Personat me nevoja të veçanta përballën me një gjendje të vështirë dhe diskriminuese. Pamundësia e shkollimit, mungesa e shërbimeve adekuate, pamundësia e qasjes në objekte, diskriminimi në punë, janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballën ata çdo ditë.

Në Kosovës, personave me aftësi të kufizuar nuk iu jepet hapësirë sa duhet dhe ata e ndjejnë vetën jo të barabartë në shoqëri.

E në Ditën Ndërkombëtare të personave me Aftësi të Kufizuar, HandiKos dhe Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, mban një konferencë me temën "Qasja dhe fuqizimi i personave me aftësi të kufizuar".

Rikujtojmë se Asambleja e Kombeve te Bashkuara, në vitin 1992, shpalli 3 Dhjetorin ditë të personave me aftësi të kufizuar, me qëllim të promovimit të të kuptuarit të çështjeve mbi aftësinë e kufizuar dhe të mobilizimit në përkrahjen për dinjitet, të drejta dhe mirëqenie të personave me aftësi të kufizuara.

Si rrjedhojë, qëllim i shënimit të kësaj dite në Republikën e Kosovës është diskutimi dhe dizajnimi i prioriteteve zhvilluese nga institucionet dhe shoqëria civile, në këtë mënyrë duke sjellë perspektivë më të madhe në mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtave të personave me nevoja të veçanta, si pjesë e barabartë e shoqërisë së përgjithshme në vend ku me të drejtë ata i takojnë.