Indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë është më i lartë për 0.1% në muajin nëntor 2015 krahasuar me muajin tetor 2015, bënë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) e cila ka publikuar "Indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit (IHÇK) për muajin nëntor 2015".

Ndërsa shkalla e inflacionit, e matur në muajin nëntor 2015 me muajin nëntor 2014 ishte -0.3%.

Sipas ASK-së, ngritje e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupi i perimeve për 4.7% me një ndikim prej 0.2 % në IHÇK.

Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit te nëngrupi i pemëve për -7.9% me një ndikim prej -0.1 % në IHÇK.

Po ashtu sipas ASK-së, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie për -0.3% në muajin nëntor 2015 krahasuar me muajin nëntor 2014.

Rënie e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit në këtë periudhë është vërejtur te nëngrupet: bukë dhe drithëra (-1.4%); qumësht, djath dhe vezë (-3.8%); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme, që kanë të bëjnë me vendbanimin (-5.3%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-4.2%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (-12.1%) - (rënie e çmimit të benzinës dhe naftës), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -1.8% në IHÇK.

Rënia u neutralizua kryesisht nga ngritja e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit te nëngrupet: mish (2.0%); vajra dhe yndyra (6.6%); sheqer dhe ëmbëlsira (5.2%); kafe, çaj dhe kakao (3.6%); pije alkoolike (12.3%); duhan (9.8%); veshje (1.9%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (2.5%); prodhime dhe pajisje mjekësore (3.9%); shërbime hoteliere (1.5%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.5 % në IHÇK.