Policia ndalon autorin e të shtënave: Për fat, pas disa të shtënash, atij iu bllokua arma KUÇOVË-Janë grindur dy ditë më parë në një nga lokalet e lagjes “11 Shkurti”, për arsye banale, nën ndikimin e alkoolit dhe kanë përfudnuar në përplasje me armë. Ngjarja për fat nuk ka shënuar të plagosur, por ka terrorizuar banorët e lagjes, ndërkohë policia ka prangosur autorin e të shtënave. Gjithçka ndodhi në orën 10.30 të paradites të djeshme pranë rrugës së spitalit. Sipas policisë, konflikti i djeshëm do të ishte një larje hesapesh pas një sherri banal të ndodhur më parë mes dy grupesh. Mes tyre, sipas policies, janë ndeshur grupi i përbërë prej 4 vetësh, ku kanë qenë at e bir Vangjel e Majrus Pando, 47 e 21-vjeç si dhe Taulant Hoxha e Adriatik Kundja, 21 e 23-vjeç. Ata kanë qenë ulur në lokal dhe në një tavolinë tjetër kanë qenë Ervin e Dritan Nuku si dhe Albian Licaj e Elton Masati. Sipas policisë, të dy grupet e djemve gjatë qëndrimit në lokal kanë konsumuar alkool dhe në një moment kanë filluar të grinden me njëri-tjetri dhe më pas grindja ia ka lënë vendin sherrit, ku të dy grupet janë qëlluar. Pasi janë ndarë, sherri ka vijuar dje paradite, kur sipas policisë Vangjel e Majrus Pando si dhe Taulant e Adrian Kundja të hipur në një makinë tip benz gri me targa të Kuçovës kanë ndaluar në afërsi të lagjes ku ndodhi sherri dhe sapo kanë parë grupin e 4 djemve kanë qëlluar drejt tyre me pistoletë TT. Për fat, në këtë moment pas dy të shtënash autorit i është bllokuar pistoleta dhe ngjarja nuk ka shënuar viktima. “Pasi i është bllokuar pistoleta autori është larguar nga vendi i ngjarjes”- thonë burimet policore. Sipas shefit të komisariatit mësohet se Marjusi Pando është arrestuar dhe janë shoqëruar tre të tjerët që ishin në makinë me të. Gjatë kontrollit në banesë është gjetur një automatik, por që sipas policisë ajo nuk ka pasur lidhje me ngjarjen.