Nga Mero Baze


 


Dikush duhet të sqarojë opozitën se përse bëhen protestat në Rumani. Duhen sqaruar, pasi kanë disa ditë që çelin gazetat dhe portalet e tyre, me foto nga Bukureshti.


Prej disa ditësh, mijëra qytetarë rumunë, kanë mbushur sheshin kryesor në Bukuresht, për të protestuar ndaj përpjekjeve ligjore të qeverisë për të zbutur ligjet anti-korrupsion në vend, miratuar disa vite më parë, që çuan në rrënimin e klasës politike dhe një krizë të mos funksionimin e institucioneve, për shkak të fobisë së zyrtarëve për të nënshkruar çdo shkresë zyrtare që ka të bëjë me financat publike.


Qytetarët janë zemëruar, pasi e shikojnë paketën e re ligjore të qeverisë se re të dalë nga zgjedhjet, si përpjekje për ti ikur sistemit të rreptë të drejtësisë dhe për tu kthyer në gjendjen e mëparshme.


Nëse bëjmë një paralele me Shqipërinë, do të ishte njësoj sikur sot qeveria të bënte atë që po bën opozita, Kryeprokurori, Presidenti, gjykatësit etj, pra të angazhohet në degradimin e reformës në drejtësi, shmangien e Vetting-ut, futjen e institucioneve të reja në ngërç procedurial etj.


Pra, protestat në Rumani, nëse i eksportojmë në Shqipëri, janë protesta që duhen bërë kundër opozitës, Kryeprokurorit, Presidentit dhe gjithkujt që po përpiqet të bllokojë reformën.


Në një farë mënyre, kjo protestë po ndodh dhe në Shqipëri. Shikoni pajtueshmërinë dhe mbështetjen që ka në rrjet për ambasadorin Donald Lu nga opinioni publik që vëzhgon konfliktin mes ambasadorit Lu dhe kundërshtarëve të tij. Thuajse 90 për qind e shqiptarëve janë me ambasadorin Lu, i cili në mënyrë paradoksale përfaqëson në Shqipëri protestuesit e Rumanisë, ata që kanë mbushur sheshet. Në vend që në Shqipëri të dilnin në shesh shqiptarët për të mbështetur reformën, ka dalë ambasadori amerikan dhe shqiptarët e mbështesin nga shtëpia në Facebook, ose në rrjetet e tjera sociale.


Por kjo ka pak rëndësi për momentin. E rëndësishme është se analogjia me Rumaninë ekziston, por opozita ka harruar të përcaktojë palët. Jo çdokush që del në rrugë në botë, ka kauzë të njëjtë me opozitën shqiptare, edhe pse Basha ja ka arritur që të bëjë të vetën çdo kauzë rastësore për këto katër vjet, duke i humbur identitetin PD-së.


Ata që kanë dalë në rrugë në Rumani kanë kauzë të kundërt me opozitën shqiptare dhe për fatin e keq të opozitës, kanë kauzën që mbron qeveria, SHBA, BE, përballë opozitës dhe institucioneve të tjera të cilat duan të bllokojnë reformën.


Fotoja e vetme që mund të ilustrojë protestat e Rumanisë në Shqipëri, është aktualisht fotoja e ambasadorit amerikan Donald Lu. Dhe e vetmja foto me të cilën mund të identifikohet sot opozita është ajo e Presidentit, Kryeprokurorit, Berishës dhe shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që protestojnë nën parrullën Duam vizat tona.


Ndaj është mirë, që kur ti botojnë ato foto, të kujtohen se çfarë mund ta gjejë këtë opozitë, e cila mund të hyjë në historinë e politikës në botë, si  e vetmja ndaj së cilës mund të ketë protesta popullore, për shkak të vendimit të saj për tiu shmangur drejtësisë.


Është mirë ti shikojë me vëmendje protestat në Rumani dhe të kuptojë se sa të zemëruar janë qytetarët, kur shikojnë se çfarë bëjnë një grusht njerëzish, për ti shpëtuar drejtësisë.