UDEIS STEFANI


Sheshi, si gjeometri çliruese e arkitekturës urbane, u jep ngaherë frymëmarrje përdredhjeve enigmatike të rrugicave. Me funksion të dyfishtë, thellësisht të kundërt, ai i rishfaqet të huajit jo vetëm si shpresëdhënës për të gjetur rrugën e humbur, por, tinëzisht, edhe si një mundësi e re për ta rihumbur atë. Për këtë arsye, e në kontekstin e këtij shkrimi, më intereson që sheshin ta përkufizoj thjesht si hapësira mes udhëkryqit! Përdorimi idiomatik i gjuhës shqipe e qëlloi mu në shesh të kokës e metaforizon sheshin me humbjen përfundimtare pa mundësi ripërtëritjeje të viktimës, një fund sa fizik, aq edhe intelektual të qenies. Në përballje me pushtetet, sheshi është hapësira më tradhtare ndaj mirëqenies fizike të shoqërisë. Me hapësirën e tij ftuese për tubime e vokacione kolektive, ai e lë njëkohësisht po kaq të pambrojtur individin e të vetmuar përballë çdo lloj dhune që mund ti ngjasë. Përgjigjet policore ndaj turmës me shkopinj gome, fotografojnë përherë pamje paroksistike policësh me skafandra e individë me krahë duke mbështjellë kokën, ku sheshi ua jep mundësinë të dyve për tu kthyer në heronj të kauzave të veta. Duket sikur gati-gati heronjtë përherë bien nëpër sheshe, aq sa mund të dyshosh që sheshet mund të prodhojnë edhe heronj fals. Pikërisht ngaqë metafizika e sheshit është historike në përmbajtje, ia vlen të hetohet natyra e marrdhënies së shoqërisë me sheshin si simbol qytetërimi. Pushtetet politike synojnë ti mbajnë përherë sheshet të boshatisura ose përplot me mbështetës duke iu trembur fuqisë  legjitimuese ose delegjitimuese të tyre. Në kujtesën globale të kohëve të fundit, sheshi Tahrir i Kajros mbeti si sheshi në të cilin u ekzekutua regjimi tredekadësh i Hosni Mubarakut, përkundër sheshit Jeshil të Tripolit, i cili u përdor deri para pak ditësh prej Gedafit të Libisë si prova e vetme false mediatike e legjitimitetit të tij në popull.

Për të kuptuar cilësinë e marrdhënies shesh-shoqëri në mjedisin shqiptar, ia vlen ta reflektojmë nën paradigmën e Rusoit mbi dy llojet e shoqërive: shoqërinë pasive, që ai e quante shtet, e atë aktive, sovran. Urbanizimi i Shqipërisë komuniste i përdori sheshet si enë magjistarësh ku demonstrohej ritmikisht forca ideologjike e totalitarizmit mes paradash ushtarake e deri gjimnastike kolektive të një shoqërie ironikisht të tejlodhur. Në një nga sheshet qendrore të kryeqytetit, fundi i po këtij regjimi u shënua zyrtarisht me shkuljen e statujës së diktatorit Hoxha në shkurt 1991 prej një shoqërie që vendosi ti jepte fund hipokrizisë me vetveten. Dy kryesheshet dikotomike shqiptare të pasdiktaturës, sheshi Skënderbej dhe ai Nënë Tereza (i pari esencialisht luftarak për nga emri mbrujtur edhe te vetë uniforma e heroit, i dyti esencialisht paqësor), janë përdorur pa reshtur prej dy kryepartive shqiptare, Demokratike e Socialiste, sipas një modeli thellësisht asocial. Me teknologji në rritje akustike e vizuale, e ligjërime euforike prej fituesish bastesh, forcat politike në pushtet i kanë përdorur përherë sheshet si dehës halucinantë të masave jo për të festuar arritjet e veta, sesa për të mposhtur dhimbjen dramatike të mosarritjeve të tyre. Autobusë të thirrur me mbështetës partiakë, me punonjës administrate shtetërore që zbrazin sportele shërbimesh publike nëpër rrethe, derdhen shesheve të kryeqytetit si tregues androgjenikë të ideologjisë së cilës i përkasin. Në simetri thuajse të plotë, forca politike në opozitë është po aq e varur nga prurjet e gjithandejme, që kulmojnë në tribuna ligjërimesh opozitare pa alternativa, me slogane abstrakte e mesazhe ngatërrimtare për intelektin kolektiv. Në garë sup-më-sup për të zënë sheshin, të dyja kryepartitë i kanë përdorur edhe njëkohësisht të dyja sheshet dikotomike të kryeqytetit, jo për të treguar se kush i përket luftës e kush paqes, sesa për ti projektuar këto dy sheshe si mediumet e vetme ku çlirohet tensioni ideologjik kombëtar i dy partive të mëdha. Ndihmuar nga një alkimi mediatike, suksesi i ngjarjeve politike varet nga iluzioni optik që mediat do të ndërtojnë mbi numrin e pjesëmarrësve në shesh, këndi se nga do të shihet turma, anëtari i turmës që e hap gojën më shumë etj. Autobusët garues të pozitës e opozitës me aktivistë që mbajnë në duar pankarta apo flamuj superfuqish janë një sulm i heshtur ndaj kureshtjes së sinqertë civile mbi aktivitetin e tyre. Kjo ndodh sepse prurjet e organizuara të aktivistëve mbajnë të mbështjellë frikën e pamundësisë së partive politike për të ngopur sheshet. Mjedisi shqiptar do të demokratizohej më tepër nëse një parti politike do ti organizonte tribunat e veta të lira pa kushtrime ndaj mbështetësve, por me liderë oratorë që aplikonin teknika të dialogut të lirë me shoqërinë civile. Në kuotat e pjesëmarrjes në tubime, paraqitja vullnetare e pjesëmarrësve do të kishte qenë variabël më domethënës sesa paraqitja me forcë e prurjeve partiake.

Absolutizimi i shkakut politik në përditshmërinë publike është në luftë të hapur me çdo qelizë humaniste të shoqërisë shqiptare. Ashtu siç nacionalizmi manipuloi historianin, edhe absolutizmi politik i përditshmërisë ka manipuluar aftësinë kolektive për të qenë empatikë. Me bindje deluzive mbi shoqëri të hapura, treçerek të mbyllura, është parë se lloji i shoqërisë në qarkullim është vetëm një shoqëri anticivile në Shqipërinë e hapur. Sheshet kryesore të kryeqytetit mbeten përherë bosh kur në to protestojnë invalidë a paraplegjikë për paketa financiare e shëndetësore më të favorshme për ta. Ndotja mjedisore, shkatërrimi i mjedisit, varfëria, solidariteti ndaj çështjeve globale, janë akte të munguara të një shoqerie, e cila minimalisht duhet të rikujtohet që mirëqenia kolektive është kusht apolitik i ekzistencës. Interesat vetjake të anëtarëve të shoqërisë apelohen gati ekskluzivisht në struktura politike në Shqipëri. Një vend pune diku, një kat shtesë pa leje, një biznes gjysmë në të zezë, një aplikim për leje ndërtimi, një ndërtim pa leje e të gjitha si këto mbeten urdhri i brendshëm frenues për çdokënd për të formuar një shoqëri civile përpara pushteteve. Në këtë lloj sistemi, heshtja është një lloj mbrojtjeje ndaj ver sacrum-it! Ky lloj informaliteti, lejuar me dashje prej superstrukturës, shërben në fund si gërshërë që pret kordat zanore të një shoqërie, e cila ka zgjedhur të jetë anticivile. Sheshet në fund hapen sërish gjerë për të pritur këmbë e shpirtra partiakësh, të cilët në fund përdoren nga liderët si cilësi statistikore për të mbushur vëllime kuadratesh. E, nëpërmjet industrisë së reklamës, liderët i joshin votuesit duke u pëshpëritur që në brendinë e secilit prej jush ka një shesh, i cili duhet të mbushet prej shumicës sime derisa vota juaj të mbytet në kuti!. Nën diell, sheshi mbetet ende tërësisht bosh, me qoshet hapur për ata që goditen rrufeshëm nga atakët urinarë. Acid amnezik që fshin kujtesën si pluhur i hollë çdo ditë.