05/04/2010 Reagimi


Edhe pse një ditë më parë Qeveria vendosi të bllokojë punimet në sheshin "Skënderbej" me argumentin se nuk ka leje mjedisore, dhe për këtë arsye Bashkia e Tiranës u gjobit me dy milionë lekë, firma nuk i ka ndërprerë punimet në qendër të kryeqytetit. Aktualisht, zona vijon të jetë e rrethuar dhe aty janë vetëm punëtorët e firmës që nuk flasin nëse do të ketë ndërprerje të punës. Por kanë qenë punonjësit e bashkisë, të cilët jo zyrtarisht deklaruan dje se punimet nuk do të ndërpriten për asnjë çast. Kështu mësohet se bashkia ka deklaruar se do të plotësojë angazhimin e saj për t’u siguruar qytetarëve të gjitha shërbimet e duhura dhe prioritet mbetet rehabilitimi i sheshit “Skënderbej”. Ministria e Mjedisit kërkoi dy ditë më parë që punimet të vazhdojnë vetëm pas lejes mjedisore, ndërsa gjoba për bashkinë duhet të paguhet brenda këtij viti. Ministria e Mjedisit urdhëroi dje pezullimin e menjëhershëm të punimeve në sheshin "Skënderbej", me argumentin se Bashkia e Tiranës nuk ka lejen mjedisore përkatëse, si dhe gjobiti me 2 milionë lekë bashkinë e kryeqytetit për kundërvajtje. Kryeinspektori i Mjedisit, Ilir Bala, tha dy ditë më parë se punimet në shesh pezullohen menjëherë, për shkak të mungesës së lejes mjedisore. "Kjo veprimtari, në bazë të ligjit për mbrojtjen e mjedisit duhet të pajiset me një leje mjedisi, por aktualisht është pa leje mjedisi", tha kryeinspektori i Mjedisit, Bala. Ndërkohë, kjo ministri ka hedhur poshtë edhe pretendimet e bashkisë se një leje të tillë e paska marrë prej kohësh. "Bashkia e Tiranës nuk ka marrë leje mjedisore, sikurse pretendon. Neve nuk na rezulton asnjë leje, pasi sipas procedurës, i protokollojmë kërkesat që na vijnë", sqaroi Bala. Sipas tij, për sa i përket numrit të protokollit dhe datës së lejes që ka publikuar bashkia, shkresa mund të jetë bërë nga bashkia, por në Ministrinë e Mjedisit nuk është depozituar. "Bashkia e Tiranës mund të ketë protokolluar ndonjë kërkesë për leje mjedisore, por ne nuk na ka ardhur. Nëse punimet vazhdojnë në shesh, pavarësisht pezullimit të bërë prej nesh, atëherë do të studiojmë legjislacionin, për të bërë ato që na lejon hapësira ligjore", theksoi Bala. Në të njëjtën kohë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, akuzoi Bashkinë e Tiranës se punimet në sheshin "Skënderbej" janë pa baza ligjore dhe kundër çdo procedure.