Edhe pse një ditë më parë qeveria vendosi të bllokojë punimet në sheshin "Skënderbej" me argumentin se nuk ka leje mjedisore, dhe për këtë arsye bashkia e Tiranës u gjobit me dy milionë lekë, firma nuk i ka ndërprerë punimet në qendër të kryeqytetit. Kamera e Alsat vëzhgoi dhe këtë të dielë pashkësh punimet në sheshin "Skënderbej". Zona vijon të jetë e rrethuar dhe aty janë vetëm punëtorët e firmës që nuk flasin përpara kamerës.






Ministria e Mjedisit kërkoi një ditë më parë që punimet të vazhdojnë
vetëm pas lejes mjedisore, ndërsa gjoba për bashkinë duhet të paguhet
brenda këtij viti. Edhe ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferri akuzoi
bashkinë se ka shkelur ligjin, pasi zona në qendër të Tiranës është një
asamble kulturore dhe sipas tij ky vendim është marr në kohën kur Edi
Rama ka qenë ministër i Kulturës.



Por Partia Socialiste e cilëson një pengmarrje të qeverisë, atë që po
ndodh me sheshin "Skënderbej". Palët në konflikt për punimet në qendrën e
Tiranës duket se i lanë mënjanë akuzat e ndërsjellta në këtë të dielë
pashkësh, por java që vjen do të vijojë të ketë kryefjalë të ditës
sheshin "Skënderbej", cështje kjo që pritet të jetë argumenti kryesor i
zgjedhjeve lokale të vitit 2011.



Vilma Masha