Premtimi i kryebashkiakut: Do të shtojmë hapësirat e gjelbra


Sheshi SkendebejBashkia e Tiranës organizoi dje ditën e tretë pa makina, ku bulevardi Dëshmorët e Kombit është kthyer në pedonale dhe synon sensibilizimin e njerëzve që të shmangin të paktën për një ditë makinat e tyre, për ta çliruar kryeqytetin nga smogu. Shumë qytetarë të kryeqytetit u janë bashkuar dhjetëra aktiviteteve të organizuara në segmentin nga ish-hotel “Dajti” te sheshi Skënderbej, ndërsa gjatë gjithë ditës dhe mbrëmjes së djeshme Tirana ishte e përfshirë nga festimet për Natën e Bardhë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, falënderoi të gjithë qytetarët që sot zgjodhën të mos i përdornin makinat e tyre dhe që ndihmuan në oksigjenimin e qendrës së qytetit. Dua të falënderoj të gjithë qytetarët që po shijojnë zemrën e qytetit, e cila zakonisht pushtohet nga makinat, ndërsa sot është pushtuar nga fëmijët, nga biçikletat dhe nga ata që duan të ecin. Në fakt, kjo i paraprin projektit tonë për sheshin Skënderbej. Vitin tjetër, sheshi Skënderbej do të kthehet në pedonale, tha Veliaj. Sipas tij, në një qytet demokratik duhet të ketë hapësirë për të gjithë; jo të përshtatim qytetin për makinat, por për njerëzit. Kreu i bashkisë, Veliaj, u shpreh se më shumë ditë pa makina dhe më shumë korsi për njerëzit që përdorin transportin publik, ecjen ose biçikletën, është edhe përgjigjja shqiptare e samitit për ambientin që do të mblidhet këtë fundjavë edhe javën tjetër në Paris. Unë e di që shtete të ndryshme kanë angazhime të ndryshme, por kjo është mënyra jonë modeste se ne i përgjigjemi një axhende. Gjërat që kanë ndodhur javën e kaluar me përmbytjet, por edhe problemet me rrëshqitjet e dherave, janë përgjigjja e natyrës ndaj dëmit që kemi bërë. Nuk jam këtu për të bërë politikë e për të thënë kush i dha ato leje e kush nuk investoi në kanalizime, por them se natyra na përgjigjet me të njëjtën resto si i përgjigjemi ne natyrës, nënvizoi Veliaj. Ai tha gjithashtu se pas përfundimit të festave sot bashkia do të nisë zbukurimin e qytetit, ku më 6 dhjetor do të ndezim të gjitha dritat. Siç ka ndodhur me të gjitha aktivitetet që kemi bërë deri tani ato sponsorizohen nga kompanitë, pasi besoj se bashkia ka plot probleme të tjera dhe nuk duhet të harxhojë me festime.


Ky shkrim Sheshi Skënderbej kthehet në pedonale u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.