Pas deklaratave të Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Qeverisë për sheshin “Skënderbej”, ka reaguar Bashkia e Tiranës, e cila përmes zëdhënës së saj, Joana Bushi, i cilësoi si gënjeshtra deklaratat e kreut të ekzekutivit. “Sot gënjeshtra lidhet me sheshin “Skënderbej” që ka mbetur në atë gjendje, duke pritur në fakt prej dy vitesh që qeveria e zotit Berisha të japë lekët për shpronësimin e një segmenti të mbetur të Unazës së Vogël rreth sheshit, e cila do të garantonte qarkullimin normal të mjeteve pas mbylljes së tij për punimet”, deklaroi Bushi. Sipas saj, Bashkia e Tiranës ndërkohë ka bërë planin alternativ të qarkullimit dhe ka lajmëruar këto ditë fillimin e punimeve, të cilat do të nisin shumë shpejt, mbi një projekt të shkëlqyer, që transformon sheshin në një hapësirë këmbësore pa makina. Ajo tha se ky projekt do të fillojë zbatimin në ditët në vazhdim dhe falë mbështetjes financiare të shtetit mik të Kuvajtit.