Top Story solli nga afër kufijtë mes Zonës së Parë dhe Zonës D të minierave, aty ku operojnë mbi 30 subjekte. Shterimi pa kriter i burimeve natyrore dallohet nga rrëshqitjet masive të dheut. Cenohet nëntoka, cënohen ekuilibrat, krijohen risqe të mëdha për ambientin dhe jetën njerëzore, tha Martin Cukalla, ish-drejtor i minierës së Bulqizës. Këtu, dikur ndodhej një ambient zhveshjeje për minatorët, por sot është përpirë nga dheu. Fatmirësisht, në momentin e ngjarjes aty nuk ndodhej askush.


Subjektet që shfrytëzojnë minierën janë kujdesur të nxjerrin nga ajo maksimumin, pa u kujdesur për mbrojtjen e saj. Asnjë qindarkë nuk është shpenzuar për rehabilitimin e një miniere të shteruar nga kromi. Janë disa çeliqe, ne i themi kollona që janë lënë, sepse teknikisht nuk duheshin marrë në kohën e zhvillimit të minierës, mund të merreshin më pas në kohën e shuarjes së minierës, por duke qenë në duar të ndryshme, ato krijojnë probleme të mëdha teknike, tha Martin Cukalla, ish-drejtor i minierës së Bulqizës.


Ky lloj shfrytëzimi sjell risqe të mëdha. Një prej tyre lidhet me nxjerrjen e ujërave nëntokësorë nga galeritë drejt sipërfaqes. Kur ishte miniera një e tërë, u hartua një projekt për ruajtjen e minierës veriore nga ujërat sipërfaqësore dhe ato nëntokësore, ku mbi bazën e projektit u përcaktuan edhe punimet ujëmbledhëse që nuk duhen prekur, gjë që sot në këndvështrimin tim, ky sistem pothuajse nuk funksionon, tha Ismail Mema, ish-drejtor i minierës së Bulqizës.


Një pjesë e këtyre sektorëve, ajo që quanim zona qëndrore, ngacmimi i saj influencon në shtimin e ujërave në zonën veriore, që është zonë pa dalje, ngrihet uji përmes punimeve vertikale dhe nuk ka dalje të dalin vet ujëra, dikur kishim ndaluar çdolloj punimi atje, tha Martin Cukalla. Shumica e subjekteve që kryejnë aktivitet minerar bazohen te marrja e mbetjeve teknologjike, sepse janë në zona ku shfrytëzimi ka mbaruar në vite të shkuara, tha Ismail Mema, ish-drejtor.


Duke mos shfrytëzuar trupa minerarë, por mbetjet, sot janë në rrezik ekuilibrat natyrorë. Shkëmbinjtë bëhen të paqëndrueshëm dhe rreziku për shembje është i lartë. Në kohën që unë kam qenë drejtor kanë qenë 3 sektorë, veç ishin 3, këto ishin të grumbulluara në një dorë, një drejtim teknik, tani janë 35. Janë 35 të veçanta, nuk kanë drejtim unik teknik, tha Martin Cukalla. Kur miniera ishte një e tërë, harmonizimi i kërkesave bëhej në bllok sipas horizonteve dhe sektorëve, sot duhet ta bëjë një institucion, që deri diku e bën, por mënyra e kontrolit dhe kontrolli i përditshëm mungon, tha Ismail Mema, ish-drejtor.