Nga Express më 20 shtator 2011 në ora 12:48

Politika që ndalonte deklarimin e homoseksualitetit në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara është shfuqizuar pas pothuajse dy dekadash.



Anulimi i “mos pyet, mos trego” do të thotë se rekrutët tani mund të zbulojnë se janë homoseksualë, pa pasur frikë nga hetimi apo shkarkimi i tyre.



Vendimi në fjalë, i pagëzuar si “Dita e Shfuqizimit”, ka bërë që në mbarë vendin të organizohen festa, për të shënuar fitoren e të drejtave të homoseksualëve.



Kongresi amerikan votoi vitin e kaluar shfuqizimin e ligjit, që u prezantua për herë të parë në vitin 1993, nën administratën e Bill Clintonit.



Në bazë të kësaj politike, personave homoseksualë u lejohej të shërbenin në ushtri, për sa kohë nuk tregonin hapur orientimet e tyre seksuale, ndërkohë që komandantëve nuk u lejohej të pyesnin.



Shefi i zyrës së shtypit pranë Pentagonit, George Little u tha gazetarëve se Departamenti i Mbrojtjes ishte përgatitur plotësisht për këtë shfuqizim dhe se 97 për qind e personelit ushtarak i është nënshtruar trajnimit për ligjin e ri.